Lidhja Demokratike e Kosovës ka çelur sot fushatën zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit. Në fjalën e tij kandidati i kësaj force politike për kryeministër, Lumir Abdixhiku, u shpreh se Lidhja Demokratike e Kosovës është ngritur në këmbë dhe nuk ka gjë që i rrëzon.
“Kohërat ndërrojnë, aktorët vijnë e shkojnë, një gjë nuk ndryshon asnjëherë, LDK njëherë, LDK gjithherë. Sonte nga kjo sallë e mbushur plot, me gjithë këtë mbështetje, le t’i tregojmë gjithë Kosovës se lidhja jonë është ngritur në këmbë, është bashkuar fort, është gati për secilës sfidë që na vjen përpara. S’ka gjë që na rrëzon, s’ka gjë që na trazon, s’ka gjë që na thyen sot, jemi bërë bashkë”, tha ai.
LDK-ja, sipas tij, ka një plan që do ta nxjerrë Kosovën nga humnera.
“Duke e bërë një vend me dinjitet, siguri, zhvillim dhe integritet”.
Duke shpalosur programin qeverisës, Abdixhiku premtoi dyfishim të pensioneve. Sipas tij, nuk do të jetë asnjë pension më pak se 300 euro. Ai ka folur gjithashtu edhe për përkrahjen që do t’ia bëjnë nënave dhe fëmijëve.
“Dyfishim të pensioneve; pa asnjë pension nën 300 euro. Sepse një Republikë serioze nuk e lë askënd pas. Me 200 euro në muaj për secilin të porsalindur, për plot një vit. Me shtesa mujore për secilin fëmijë deri në moshën 16 vjeçare. Me mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë kujdestare”, tha Abdixhiku.
Gjatë fjalës së tij Abdixhiku u zotua publikisht se nuk do të rriten çmimet e energjisë në mandatin e tij, ndërsa premtoi edhe ndërtimin e një centrali të ri me gaz amerikan.
“Më lejoni të jap një zotim publik sot. Se çmimet e rrymës nuk do të rriten në mandatin tonë. Moratorium i plotë për tre vite. Do ta ndërtojmë po ashtu centralin e ri me gaz, edhe atë gaz amerikan – 500 megavat energji për Kosovën. Që të mos djegim më qindra miliona euro çdo vit duke importuar energji. Që Kosova të mos jetojë më me krizë artificiale energjetike, por me siguri energjetike”, tha Abdixhiku.
Ndërsa Vjosa Osmani, në fjalimin e saj vuri theksin te trashëgimia politike e Ibrahim Rugovës, uniteti dhe orientimi euroatlantik i Kosovës.
Duke iu drejtuar mbështetësve dhe strukturave të partisë, Osmani e cilësoi Rugovizmin si një nga idetë politike më moderne në historinë shqiptare, duke theksuar rolin e ish-presidentit Ibrahim Rugova në ndërtimin e institucioneve dhe kulturës shtetërore të Kosovës.
“Rugova nuk ndërtoi kult force. Ai ndërtoi kulturë shteti”, deklaroi Osmani gjatë fjalimit.
Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët perëndimorë dhe ruajtjes së kursit euroatlantik të Kosovës, ndërsa bëri thirrje për më shumë unitet në skenën politike.
“Nuk do të jemi eksperiment i izolimit”, u shpreh Osmani, duke kritikuar indirekt politikat që, sipas saj, krijojnë polarizim.
“Me 7 qershor nuk po ju ftojmë të votonit thjesht për një Kuvend, por për drejtimin e Republikës. Ju po votoni të vendosni nëse Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të saj apo shtet i vetëm një njeriu”, tha Osmani.