Dy herë kulla e kontrollit paralajmëroi helikopterin ushtarak: “A e shihni CRJ?”. Pastaj përsëri: “Pat 25, kaloni poshtë CRJ”.
Disa sekonda më vonë, përplasja ndodhi midis helikopterit “Blackhawk”, i cili kishte tre ushtarë në bord për stërvitje rutinë dhe një aeroplani të kompanisë “American Airlines Bombardier CRJ-701”, i cili vinte nga Wichita, Kansas, i cili po ulej në aeroportin “Reagan” në Uashington me 60 pasagjerë dhe një ekuipazh prej katër personash.
Shpërthimi u pa mbi kryeqytet pak para orës 21:00 të së mërkurës në mbrëmje. Ndodhi në hapësirën ajrore më të kontrolluar dhe më të monitoruar në Amerikë, pesë kilometra larg Shtëpisë së Bardhë dhe Kapitolit.
Hipotezat fillestare flasin për gabim njerëzor apo dështim teknik, por FBI-ja ka përjashtuar mundësinë e terrorizmit.
Sipas të dhënave nga transponderi i avionit, ai ishte në rreth 400 këmbë (120 metra) lartësi dhe me një shpejtësi prej 140 miljesh në orë (225 km/h) pak para përplasjes.
Regjistrimet audio nga kulla e kontrollit tregojnë se pilotët e “American Eagle 5342” kishin pranuar një ndryshim të pistës, duke zgjedhur atë më të shkurtër 33.
Megjithatë, gjurmimi i radarit tregon se avioni duhej të ndryshonte kursin e afrimit, një detaj që mund të ketë kontribuar në tragjedi.
Më pak se 30 sekonda para përplasjes, një kontrollor i trafikut ajror e pyeti helikopterin nëse e kishte aeroplanin në hyrje, më pas transmetoi një mesazh të dytë: “Pat 25 kaloni poshtë CRJ”. Disa sekonda më vonë, dy avionët u përplasën.
Për dy orë, helikopterët e shpëtimit fluturuan mbi lumë në errësirë në kërkim të të mbijetuarve, dritat e gjashtë gomoneve që kërkonin ujërat ishin të dukshme nga “Uashington Sailing Marina”, në jug të aeroportit, ku gazetarët dhe kureshtarët ishin mbledhur në mbrëmjen e ftohtë.
Avioni u nda në dysh dhe ra nga një lartësi mbi njëqind metra në lumin Potomac pjesërisht të ngrirë, me bishtin që dilte pak nga uji.
Helikopteri aty pranë ishte nën ujë me kokë poshtë.
Një ligjvënës i Kansasit u tha gazetarëve se është e trishtueshme kur më shumë se 60 njerëz humbasin jetën në të njëjtën kohë.
Është e paqartë se çfarë shkoi keq: kulla e kontrollit i kishte kërkuar aeroplanit të ulej në pistën 33, fillimisht dukej se helikopteri nuk i ishte përgjigjur paralajmërimeve të kullës, por sipas “Fox News”, ai u përgjigj në një frekuencë tjetër.
I njëjti stacion televiziv sugjeroi se vetë aeroporti është ndoshta i mbipërdorur, duke qenë më qendror dhe i përdorur nga shumë anëtarë të Kongresit, si dhe nga publiku i gjerë.
Shefi i ri i Pentagonit, Pete Hegseth shkroi në mediat sociale se hetimet u hapën “menjëherë” nga ushtria dhe Departamenti i Mbrojtjes.
Sekretari Amerikan i Transportit Sean Duffy ka deklaruar për mediat se janë gjendur edhe pjesë të aeroplanit në 3 pjesë të ndryshme të lumit.
Në terminalin e Aeroportit Ndërkombëtar “Ronald Reagan” mbizotëron heshtja, teksa shuhen shpresat për të mbijetuar.
Të 60 pasagjerët dhe katër anëtarët e ekuipazhit që ishin në bordin e aeroplanit që u rrëzua në lumin Potomac mbrëmë pas përplasjes me një helikopter ushtarak në ajër jashtë Uashingtonit, u vranë të gjithë, konfirmuan autoritetet.
Po ashtu të vdekur mbetën të 3 ushtarët, të cilët po udhëtonin me “Black Hawk” të ushtrisë amerikane.
Donald Trump do të mbajë një konferencë shtypi mbi rrëzimin e avionit në dhomën e informimit të Shtëpisë së Bardhë në orën 11:00 me orën lokale.