27-vite nga vrasja e Tupac Shakur, policia amerikane kontrollon një banesë në Las Vegas

18 July 2023, 22:14Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
27-vite nga vrasja e Tupac Shakur, policia amerikane kontrollon një
Tupac Shakur dhe Suge Knight / Atentati ndaj Tupac

Policia kontrolloi një shtëpi në zonën e Las Vegas të hënën në mbrëmje, në lidhje me një hetim për vrasjen e reperit të famshëm amerikan Tupac Shakur.

"Policia e Las Vegas mund të konfirmojë se një urdhër kërkimi është dorëzuar në Henderson, Nevada më 17 korrik 2023, si pjesë e hetimit në vazhdim të vrasjes së Tupac Shakur”, tha policia e Las Vegas në një deklaratë. “Nuk do të kemi asnjë koment të mëtejshëm në këtë moment”, thuhet më tej.

Artisti i famshëm i hip-hop-it u qëllua më 7 shtator 1996, në Las Vegas dhe vdiq në spital gjashtë ditë më vonë nga plagët e tij. Ai ishte 25-vjeç.

Tupac kishte ndjekur një ndeshje boksi me Suge Knight në Vegas ditën që iu bë atentat. Ai ishte në një veturë të zezë në bulevardin Las Vegas kur një Cadillac i bardhë iu afrua pranë dhe hapi zjarr.

Asnjë arrestim nuk është bërë për këtë rast.

Pak muaj më pas, më 9 mars 1997, reperi Christopher Wallace - i njohur si Notorious B.I.G. - u qëllua dhe u vra në Los Anxhelos. Besohet gjerësisht se ekzekutimi i tij, që gjithashtu ka mbetur i pazbardhur, ka qenë i lidhur me vrasjen e Tupac.


Video