10 viktima dhe 4 të zhdukur nga përmbytjet në Greqi, dëshmitari: Kam parë trupa të pajetë në rrugë

8 September 2023, 18:14Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
10 viktima dhe 4 të zhdukur nga përmbytjet në Greqi,
Përmbytjet në Greqi

Ka shkuar në 10 numri i viktimave nga përmbytjet masive që kanë goditur Greqinë, ndërsa katër persona janë ende të zhdukur.

Lajmin e ka bërë me dije ministri grek për Emergjencat dhe Mbrojtjen Civile,  Vassilis Kikilias.

“Dhjetë persona kanë humbur jetën nga moti i keq Daniel në vend”, tha ministri i Mbrojtjes Civile dhe Ndryshimeve Klimatike Vassilis Kikilias.

“Kujdes nga lajmet e rreme kur ka të bëjë me jetën e njerëzve. Që në momentin e parë ju informojmë për të gjitha ngjarjet. Aeroplanët nuk kanë mundur të operojnë deri në mesditë të djeshme. Më shumë se 1000 shpëtimtarë të mbrojtjes civile po operojnë në zonë”, tha ndër të tjera Kikilias.

Situata dramatike është në rajonin e Thesalisë ku shumë banorë kanë mbetur të bllokuar dhe kanë mbi 24 orë pa ushqim dhe ujë të pijshëm.

Guvernatori i Thesalisë, Kostas Agorastos gjatë një interviste për mediat greke, tha se numri i personave të zhdukur është “”i panjohur”.

Një dëshmitar në zonën Marathea Karditsa tha se në rrugë ka trupa njerëzish të pajetë.

Duke folur për televizionin “Mega”, teksa e pyetën nëse të gjithë janë mirë në fshat, ai tha: “Jo, jo këtu fëmijët janë transportuar me varka, dhe kanë parë trupa të pajetë njerëzish në ujë. Askush nuk ka ardhur t’i marrë”.


Video