Një rast i rëndë i denoncuar për dhunë në familje ka tronditur Lavrion në Greqi.
Një 23-vjeçare, nënë e një fëmije dhe në muajin e gjashtë të shtatzënisë, pretendon se prej vitesh është përballur me dhunë, kërcënime dhe ngacmime nga ish-partneri i saj me origjinë shqiptare.
Në dëshminë e saj për Newsbomb, e reja thotë se gjatë lidhjes ka qenë viktimë e dhunës fizike dhe kërcënimeve me jetë nga 31-vjeçari.
Sipas saj, ish-partneri e ka goditur me grushte e shqelma, e ka tërhequr zvarrë nga flokët dhe episodet e dhunës kanë ndodhur edhe kur ajo mbante fëmijën në krahë.
E reja ka deklaruar gjithashtu se pas një prej episodeve është dërguar në Qendrën Shëndetësore të Lavrios, ndërsa është kërcënuar që të mos tregonte shkakun e vërtetë të plagëve, por ka thënë se kishte rënë nga shkallët.
Pas ndarjes, ajo thotë se ka bërë kallëzim për dhunë në familje dhe se ndaj ish-partnerit janë vendosur masa kufizuese, mes tyre edhe ndalimi i afrimit në një distancë prej 50 metrash. Megjithatë, sipas saj, telefonatat, kërcënimet dhe ngacmimet kanë vijuar.
Situata, sipas dëshmisë së 23-vjeçares, është përshkallëzuar gjatë një incidenti të fundit në një kënd lojërash në Lavrio, ku ndodhej edhe fëmija i tyre. Sipas saj, ish-partneri është shfaqur i tensionuar, ka bërtitur dhe ka bërë kërcënime, duke alarmuar personat që ndodheshin aty. Kalimtarët kanë njoftuar policinë, ndërsa 31-vjeçari është larguar nga vendi.
Pas këtij rasti, autoritetet greke kanë lëshuar urdhër kërkimi dhe ai kërkohet nga policia. 23-vjeçarja, e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënisë, thotë se stresi i vazhdueshëm ka ndikuar në gjendjen e saj gjatë shtatzënisë.
Ajo thekson se pas incidentit të fundit është dërguar në një spital të Athinës për kontroll urgjent.
E reja pretendon gjithashtu se në vitin 2024, kur kishte kërkuar ndihmë në polici, një efektiv i kishte thënë të kthehej te burri i saj. Ajo kërkon nga autoritetet hetimin për dhunë, kërcënime, ngacmime dhe shkelje të masave kufizuese, si dhe garantimin e sigurisë së saj dhe të fëmijëve./newsbomb.gr