Resorte në ullishtet dhe pemëtoret nga Vlora në Sarandë, Rama dhe 9 ministra firmosin vendimin!

8 Shtator 2025, 15:33Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim

Një vendim i datës 28 gusht 2025, i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, i hap rrugën ndërtimeve të resorteve në pasuritë e regjistruara si “ullishte” dhe “pemëtore”. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, kryeministri Edi Rama dhe 9 ministra kanë firmosur vendimin me numër 1, që thjeshton në minimum dhënien e lejeve për të tjetërsuar edhe ato zona të gjelbra.

Vendimi në fjalë i hap rrugë tjetërsimit të ullishteve në të gjithë zonën e bregdetit të jugut, duke filluar nga Vlora, Radhima apo edhe Orikumi. E njëjta situatë është edhe në Palasë, Dhërmi, Vuno apo edhe Himarë, ku e gjithë zona në afërsi të bregut të detit është e mbushur me ullinj.

Plantacione të mëdha me ullinj apo me pemëtore ka edhe në Qeparo, Borsh apo edhe Lukovë, ku prej shumë kohësh ndërtuesit ia kanë vënë syrin. Qeveria duket se ka pasur një synim të qartë që të ndërtojë resorte, ndërsa ullishte dhe pemëtore ka edhe nga Lukova deri në Sarandë.

Resorte në ullishtet dhe pemëtoret nga Vlora në Sarandë,
Faksimile: Vendimi i KKTU-së për evidentimin e pasurive pemëtore dhe ullishte

Më shumë se si një burokraci, e gjitha duket një skemë që të lehtësojë ndërtuesit për të bërë resortet në këto zëra kadastralë. Nëse deri më tani marrja e lejeve në këto zona ka qenë pothuajse e pamundur, tashmë me vendimin e ri pritet që ullinjtë dhe pemët të priten.

Në vendim përcaktohet se “për të gjitha vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, në rast se projekt - propozimet shtrihen mbi pasuri me zë kadastral ‘pemëtore’ apo ‘ullishte’, në të cilat nga evidentimi në terren rezulton të mos ketë pemëtore, drufrutorë ose ullinj, subjekti duhet të depozitojë pranë AZHT-së, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse, disa dokumente.

Fillimisht duhet të paraqesë një procesverbal i gjendjes faktike të sipërfaqes së tokës ullishte apo me kultura drufrutore në terren, të shoqëruar me foto të gjendjes ekzistuese, i mbajtur nga topografi, i cili deklaron se pasuria e cila është verifikuar, është e njejta sipas dokumentit të pronësisë, dhe agronomi, i cili verifikon gjendjen faktike mbi ekzistencën ose jo të kulturave drufrutore apo ullinjve.

“Procesverbali, nënshkruhet gjithashtu nga pronari i pasurisë apo përfaqësuesi i zhvilluesit të projekt propozimit. Duhet edhe një deklaratë noteriale e përbashkët midis zhvilluesit dhe eksperit që ka hartuar procesverbalin e gjendjes faktike, të cilët deklarojnë nën përgjegjësinë e tyre të plotë civile dhe penale për vërtetësinë e dokumentacionit të depozituar” thuhet në këtë dokument.

Pra, e thënë më thjeshtë; Një topograf merr përsipër që të tjetërsojë të gjithë këto pasuri në favor të resorteve. Koha ka treguar se vendime të tilla më shumë i hapin rrugën tjetërsimit sesa mbrojtjes së natyrës apo edhe plantacioneve me ullinj. Situata të njëjta kanë ndodhur edhe më parë, kryesisht me pyjet në zonën e Gjirit të Lalzit apo me ullinjtë e prerë në zonën e Farkës apo të Kodrës së Diellit në Tiranë.

 

Resorte në ullishtet dhe pemëtoret nga Vlora në Sarandë,Resorte në ullishtet dhe pemëtoret nga Vlora në Sarandë,

Resorte në ullishtet dhe pemëtoret nga Vlora në Sarandë,
Faksimile: Vendimi i KKTU-së përcakton se një agronom bën një raport nëse ka apo pemë dhe më pas nis verifikimi nga shteti

Ndërtuesit kanë aplikuar një skemë të mirëmenduar për të bërë ndërtime, ku në disa raste i vënë flakën zonës. Në raste të tjera fusin banorë vendas për të prerë pemët dhe më pas bëjnë edhe këto dokumente që kërkon KKTU-ja.

Në të njëjtin vendim përcaktohet se, pasi agronomi bën edhe deklaratën, për sipërfaqet deri në 0.1 ha, konfirmimi i gjendjes faktike të pasurive, për të cilat është deklaruar që nuk ka pemëtore/ drufrutorë, kryhet nga specialisti agronom përkatës pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore brenda 5 ditëve pune. “Në rast se njësia e vetëqeverisjes vendore nuk përgjigjet brenda afatit 5 ditor, konfirmimi kryhet nga specialisti agronom pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor përkatëse” thuhet në dokument.

Ndërkohë, për sipërfaqet më shumë se 0.1 hektarë, evidentimi bëhet me dy agronomë, njëri nga qeverisja vendore e tjetri nga Ministria e Bujqësisë. “Pas konfirmimit të kryer, KKTU mund të vijojë me procedurat përkatëse për lëshimin e dokumentit të lejes së zhvillimit apo ndërtimit”, thuhet në vendim.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video