Zbulimi shqiptar: Evidentimi i dhunës ndaj shqiptarëve në Kosovë në vitet 1980-1990

29 August 2022, 20:02Histori SHKRUAR NGA MARENGLEN KASMI
Zbulimi shqiptar: Evidentimi i dhunës ndaj shqiptarëve në
Demonstrata e vitit 1981 në Kosovë

Vitet 1980 të shekullit të kaluar rezultojnë si vite të rëndësishme të pjekjes së ndërgjegjes së popullit kosovar për intensifikimin dhe unifikimin e përpjekjeve për të fituar të drejtat e tyre themelore, çka do të kulmonte shumë vite më pas me krijimin e Republikës së Kosovës, sigurisht në një kohë e kontekst tjetër të hartës gjeopolitike të Europës.

Ky udhëtim historik i popullit të Kosovës drejt lirisë u shoqërua me një dhunë shtetërore sistematike ndaj tij, e sidomos në prag të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet 1980-1990, për të kulmuar në gjenocidin e përmasave të pa mendueshme që shteti serb organizoi ndaj popullit kosovar në vitet 1998-1999.

Pas ngjarjeve të 1981-it, Enver Hoxha urdhëroi Sigurimin e Shtetit që të ndiqte me prioritet zhvillimet në Kosovë. Si rrjedhim, u përmirësua e zgjerua rrjeti i agjenturës në Kosovë dhe u rrit vëmendja ndaj zhvillimeve në Kosovë, çka institucionalizohej në dokumentacion, të cilin tashmë e kemi trashëguar nga ish-Sigurimi i Shtetit.

Po të krahasojmë sjelljen e shtetit jugosllav ndaj shqiptarëve dhe kombësive të tjera në ish-Jugosllavi vërehen ndryshime të dukshme. Nëse ndaj shqiptarëve që demonstruan në vitin 1981 me kërkesat e tyre progresiste u derdhën hordhi të milicisë dhe ushtrisë jugosllave duke vazhduar më pas me një kryqëzatë burgosjesh, përndjekjesh dhe dhune, ndaj demonstruesve regresive dhe revanshistë serbo-malazezë jo vetëm që nuk merrej asnjë masë represive, por përkundrazi, si gjithmonë në kësi rastesh bëheshin kurban disa milicë shqiptarë se përdornin shkopin e gomës ndaj tyre. Një ndër ngjarjet më të shënuara të këtyre dallimeve ishte ajo e shtatorit 1987, kur u regjistruan mbi 27 sulme të tipit fashist ndaj dyqanxhinjve privatë shqiptarë dhe punëtorëve shqiptarë të ndërtimit në Serbi, ku pati të paktën dy viktima shqiptarë. Pavarësisht përmasave të kësaj dhune serbe, nuk u mor asnjë masë, madje për ironi të shqiptarëve dhunuesit serbë u quajtën nga Beogradi zyrtar “çapkënë” dhe aktet e tyre kriminale “çapkënllëqe”.

Ndërkohë prej vitit 1981 e në vazhdim, shifrat tregojnë se ndaj shqiptarëve në Kosovë politika e terrorit dhe burgosjeve vazhdoi si më parë, me disa veçori dhe nuanca të reja. Nëse në periudhën mars-prill 1981 deri në nëntor 1985 në Kosovë ishin goditur mbi 4000 shqiptarë, prej të cilëve 1073 ishin ndjekur penalisht për kriminalitet politik, pra për irredentizëm dhe 3107 të tjerë për kundravajtje politike nacionale (çka nënkuptonte shkrim parullash dhe shpërndarje pamfletesh, ku gati ½ e tyre u ndëshkuan me burgosje dhe të tjerët me këshillim), në fund të vitit 1988, numri i shqiptarëve të goditur nga shteti jugosllav arriti rreth 15.000 vetë, pra pothuaj katër herë më shumë se në vitin 1981.

Nga kjo shifër, deri në vitin 1988 rreth 50% e të dënuarve në Kosovë e kishin kryer dënimin e tyre, por ata vazhdonin të keqtrajtoheshin, nuk u sigurohej punë dhe ishin përsëri objekt i ndjekjeve e rigoditjeve. Këtë gjë e tregonte edhe formula e përsëritur e Zvetomir Laloviqit, ministër i punëve të brendshme të Serbisë se “irredentizmi shqiptar po riproduktohet dhe megjithë ndjekjet nuk heq dorë”.

Për përmasat e një dhune të rëndë antishqiptare në rritje flasin në këto vite edhe masat represive në Armatën Popullore Jugosllave kundër ushtarëve dhe oficerëve shqiptarë. Nëse deri në fund të vitit 1984 ishin goditur 623 ushtarë e oficerë shqiptarë, në gusht 1987, sipas Branko Mamulles, ministër federativ i mbrojtjes së Jugosllavisë, kjo shifër u rrit në 1427 ushtarakë shqiptarë. Nëse do të bënim një llogari të thjeshtë, vërejmë se në periudhën 1981-1987, në Armatën Popullore Jugosllave janë dënuar mesatarisht çdo vit 203 shqiptarë në çdo 50.000 të tillë (përllogaritet se shqiptarët përbënin rreth 20% të ushtrisë jugosllave prej 250.000 ushtarësh aktivë dhe koha e shërbimit ishte 12 muaj). Ky tregues ishte 2.5 herë më i lartë se mesatarja vjetore jugosllave e goditjeve, e cila ishte 178 vetë për 100.000 banorë. Kjo shifër tregon edhe njëherë se KOS-i (Sigurimi i Ushtrisë jugosllave), kishte dorë të lirë të vepronte sipas dëshirës me shqiptarët.

Në total, gjithmonë sipas Sigurimit të Shtetit, llogaritej se në vitet 1981-1987, pra për 6 vjet, janë dënuar gjithsej mbi 2500 kosovarë për politikë dhe mbi 7000 të tjerë për kundravajtje politike e nacionale. Po të marrim në konsideratë se një familje shqiptare përbëhej mesatarisht nga shtatë anëtarë, këta përfaqësonin rreth 70.000 vetë dhe po të mbahet parasysh shtrirjen e fiseve, vërtetohet ajo që flitej shpesh në popull dhe që e konfirmonin edhe burimet e Sigurimit të Shtetit se “në Kosovë nuk ka familje që nuk e ka një të burgosur ose të dënuar” nga fushata e tërbuar shoviniste serbe. Ndërsa për gjithë shqiptarët e dënuar në Jugosllavi, përllogaritej se prekeshin rreth 110.000 shqiptarë nga kjo fushatë goditje.

Nga ky gjenocid i ushtruar në Kosovë prekeshin të gjitha shtresat sociale, konkretisht: deri në tetor 1987 shtrirja në përqindje paraqitej afërsisht kështu: 42,2% studentë e intelektualë (mbi 10% ishin arsimtarë), mbi 30% punëtorë, bujq e zejtarë dhe mbi 22% nxënës, që në pjesën e tyre dërrmuese kishin mbaruar shkollën dhe nuk u sigurohej punë.

Më tej, statistikat tregojnë se goditjet ndaj shqiptarëve nuk bënin dallime moshe, fillonin prej moshës 15 vjeç, pra dënoheshin edhe të mitur. Mosha mesatare e të dënuarve në Kosovë ishte 25 vjeç dhe në ushtri 20 vjeç.

Nëse do të përmblidhnim me pak fjalë akuzat ndaj tyre, ata dënoheshin se përkrahnin të dënuarit politikë, denonconin pabarazitë e shqiptarëve me kombet dhe kombësitë e tjera sllave, propagandonin se shqiptarët nuk gëzojnë të drejtat kushtetuese dhe janë në qendër të sulmeve të hegjemonisë serbomadhe, se shqiptarët po u ngushtoheshin te drejtat, lartësonin politikën e Shqipërisë etj. Ndërsa në ushtri, pothuajse në masën 100% shqiptarët dënoheshin me sajesën si “anëtarë të grupeve ilegale”.

Paradoksale ishte se politika ndëshkimore ndaj tyre mbulohej me një frazeologji të tillë si “në emër të ruajtës së të drejtave e lirive thelbësore të njeriut e qytetit; barazisë së kombeve e kombësive dhe rregullimit juridik të rendit, i përcaktuar në Kushtetutë”. Pra, shqiptarët kërkonin zbatimin e barabartë të Kushtetutës, klika serbe jo vetëm që nuk ua jepte, por i dënonte në emër të Kushtetutës. Po ashtu, nuk duhet harruar se Kosova në vitin 1987 jetonte nivelin ekonomik të vitit 1947 të Sllovenisë ose atë të vitit 1960 të Malit të Zi dhe se ajo gëzonte vetëm 29% të nivelit mesatar të jetesës së Jugosllavisë. Nga ana tjetër, nga 4729 persona të ndjekur penalisht në gjithë Jugosllavinë në vitet 1981-1986, 3.086 prej tyre, pra rreth 65% ishin shqiptarë. Pra, Kosova ishte e fundit në trajtimin ekonomik dhe e para në burgosje.

Po ashtu, gjatë këtyre viteve evidentohet lehtë artificialiteti i goditjes së shqiptarëve në Kosovë, me qëllim që të mbahej e ndezur fushata represive kundër shqiptarëve. Në mesvitet 1980 goditjet prireshin në dy drejtime; nën akuzën “e nxitjes së urrejtjes nacionale” dhe “dhunës ndaj pjesëtarëve të një kombësie tjetër”. Ky nen i fundit u shpik me qëllimin e vetëm, për të pasur sebep për të burgosur shqiptarët dhe me gjithë kundërshtimet mori forcë ligjore si nen i kodit penal. Përveç kontrollit dhe presionit ndaj organeve të jurisprudencës kosovare, shtypi e propaganda serbe i bënin jehonë dhe politizonin çdo zënkë, deri edhe midis fëmijëve shqiptarë me ata serbë, nga më të rëndomtat.

Me gjithë zhurmën propagandistikë që serbët ngrinin ndaj shqiptarëve si dhunues, dinamika e këtij krimi paraqitej si më poshtë: në vitin 1986, në Kosovë ndodhën 20 tentativa për dhunim dhe 9 dhunime, prej të cilave 3 tentativa dhe 5 dhunime ishin ndaj kryer ndaj serbomalazezëve. Sikurse shihet, ky numër ishte larg asaj që propagandonin serbët, në një kohë kur Republika e Serbisë mbante vendin e parë në Jugosllavi për këto krime. Për shembull, në vitet 1980-1984, në krimin “kundër lirisë dhe të drejtave të njeriut” Kosova zinte 1%, kurse Serbia 46.8%; “kundër nderit e prestigjit” Kosova zinte vendin e 8-të me 0,5%, kurse Serbia vendin e parë me 46.1%. Sikurse shihet, logjika e shifrave është e qartë dhe nuk te lejon të gabosh!

Një aspekt tjetër që spekulohej për të goditur shqiptarët ishte edhe çështja e përdorimit të flamurit kombëtar, kur dihej mirë se ata në shtëpitë e tyre do ta mbanin atë të pa ndryshuar!

Përfundimisht vlen të theksohet se:

Përgjatë viteve 1980 dhuna dhe represioni i organizuar serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë erdhi në rritje, çka u shpreh edhe në rritjen e numrit të milicëve nga 1 për 960 banorë, në 1 në 450 banorë, pa përmendur trupat e milicisë speciale federative që erdhën në Kosovë. Pavarësisht nga motivet e justifikimet pse u dërgua kjo njësi në Kosovë, ajo përbënte një forcë goditëse e cila ishte e destinuar në radhë të parë të përdorej kundër shqiptarëve.

Evidentimi i dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës por edhe të viseve të tjera shqiptare në këtë periudhë ilustron më së miri qëndrimet antishqiptare të shtetit jugosllav ndaj shqiptarëve dhe në thelb, skicon politikën e mëvonshme serbe ndaj Kosovës pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. 


Video