Zbulime të reja në Bazilikën Paleokristiane në Elbasan

9 Qershor 2026, 17:25Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Bazilika Paleokristiane që ndodhet në zemër të qytetit të Elbasanit shumë pranë lagjes Kala vijon të nxjerrë surpriza.

Gërmimet e reja kanë nxjerrë në dritë një mozaik me rëndësi të veçantë dhe vlera kulturore, arkeologjike dhe fetare.

Puna këtu ka nisur prej ditësh ndërsa anëtarë të ekipit na tregojnë se çfarë kanë arritur të zbulojnë deri tani.

Arkeologët thonë se puna këtu duhet të vijojë pasi ka ende për të zbuluar. Gjithashtu duhet punuar edhe për ekspozimin e mozaikut me efekt në turizëm.

“Surpriza ishte që dolëm në dyshemenë e bazilikës së fazës së parë. Kemi kuptuar që janë dy faza të rëndësishme të bazilikës. Niveli i lartë kulturor i qytetit ka vazhduar më vonë edhe në shekullin V dhe VI. Niveli i ruajtjes së mozaikëve është shumë i mirë”, thotë arkeologu Elio Hobdari.

Mozaikët e rinj polikromë shquhen për një nivel të lartë artistik dhe mbartin mesazhe të forta teologjike të krishtërimit të hershëm.

“Çdo element i mozaikut ka një simbolikë dhe një kuptim të qartë për krishtërimin e kohës. Këtu kemi të bëjmë me skenën e Eukaristisë (Atit të Shenjtë): një vazo që mban gjakun e Krishtit dhe dy pallonj që pinë prej tij për të fituar jetën e përjetshme. Punimi është jashtëzakonisht cilësor, i realizuar nga artizanë të famshëm që vepronin përgjatë vijës Egnatia, ngjashëm me zbulimet në Ohër. Gjithashtu, në strukturë përmenden dy emra, që përfaqësojnë dy familje të rëndësishme të cilat kanë dhuruar kontribute për këtë kishë. Çdo herë që gërmojmë në Elbasan, përballemi me surpriza të tilla”, shprehet arkeologu Erikson Nikolli.

Bazilika Paleokristiane e Elbasanit, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, është një dëshmi e gjallë e qytetit antik të Skampisit si qendër administrative dhe fetare në Ballkan. Pozicionimi i saj në qendër të qytetit e kthen këtë zbulim në një aset të jashtëzakonshëm për turizmin kulturor.

Bazilika Paleokristiane është kthyer në një prej destinacioneve më të preferuara për vizitorët për shkak edhe të aksesueshmërisë.

Ndërsa tani vizitorët kanë mundësi të mësojnë edhe më shumë për historinë e qytetit pas zbulimit të këtij mozaiku.


Video