Zbulohet në Tajlandë një nga dinozaurët më të mëdhenj të Azisë: Gjiganti 27 tonësh ishte aq i gjatë sa një balenë blu

18 Maj 2026, 19:57Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese e dinozaurit

Shkencëtarët kanë identifikuar një specie të re dinozauri gjigant me qafë të gjatë, bazuar në fosilet e zbuluara në verilindje të vendit, raporton BBC.

I quajtur “Nagatitan chaiyaphumensis”, ky dinozaur konsiderohet më i madhi i gjetur ndonjëherë në Azinë Juglindore.

Ai peshon rreth 27 tonë — sa nëntë elefantë aziatikë të rritur — dhe arrin një gjatësi prej 27 metra (afërsisht e njëjtë me gjatësinë e një balene blu).

Ai bën pjesë në familjen e sauropodëve, dinozaurë barngrënës me qafë të gjatë.

Specia u identifikua nga një ekip studiuesish nga Kolegji Universitar i Londrës dhe universitete tajlandeze, pas analizimit të fosileve të gjetura, pranë një pellgu në provincën Chaiyaphum rreth një dekadë më parë.

Sipas studiuesve, zbulimi ndihmon për të kuptuar më mirë sesi ndryshimet klimatike në epokat e lashta krijuan kushte për zhvillimin e dinozaurëve gjigantë.

Emri “Nagatitan” vjen nga “naga”, gjarpër mitologjik në folklorin e Azisë Juglindore, dhe “titan”, i referohet hyjnive të mitologjisë greke.

Kjo specie jetoi rreth 100 deri në 120 milionë vjet më parë, afërsisht 40 milionë vjet përpara “Tyrannosaurus rex”, dhe ishte rreth dy herë më i madh se ai.

Autori kryesor i studimit, Thitiwoot Sethapanichsakul, tha se ekipi e quan këtë specie “titani i fundit” i Tajlandës, pasi fosilet u gjetën në formacionin më të ri shkëmbor të vendit ku janë zbuluar dinozaurë.

Ai shpjegoi se shtresat më të reja gjeologjike të rajonit, të formuara në fund të epokës së dinozaurëve, me gjasë nuk përmbajnë mbetje të tjera, pasi zona ishte shndërruar në një det të cekët.

Studimi u publikua në revistën shkencore “Scientific Reports”.

Paleontologia, Sita Manitkoon tha se Tajlanda ka një larmi të madhe fosilesh dhe mund të jetë vendi i tretë në Azi për nga numri i mbetjeve të dinozaurëve të zbuluara.

Sipas bashkautorëve, nagatitani jetoi në një periudhë kur nivelet e dioksidit të karbonit në atmosferë ishin në rritje, ndërsa temperaturat globale ishin të larta — një mjedis që mund të ketë ndikuar në zhvillimin e bimësisë, ushqimit kryesor për këta barngrënës gjigantë.


Video