
Ai ndërtoi një teatër të rremë romak midis kodrave të provincës së Vicencës në Itali, duke përdorur blloqe guri modernë të plakur artificialisht për të dukur antikë.
E paraqiti si zbulim arkeologjik që përmbante mbetje nga Greqia e Lashtë, Roma e Lashtë dhe madje edhe nga Neoliti.
Organizoi ture me udhërrëfyes dhe rikrijime historike, kërkoi deri në 40 euro për vizitor, u përfshi në një udhërrëfyes turistik zyrtar dhe përfundoi në burg, i dënuar me dy vjet e katër muaj në një vendim të formës së prerë.
Kjo është historia e Franco Malosso-s, një 69-vjeçar italian që kreu një nga mashtrimet arkeologjike më të mahnitshme të Italisë.
Pas një procesi 10-vjeçar dhe konfirmimit të dënimit nga Gjykata e Lartë, autori i këtij mashtrimi kolosal hyri në burgun e Ventimiglia-s disa muaj më parë për të vuajtur dënimin për ndërtim të paligjshëm dhe falsifikim të veprave arti.

Historia filloi disa vjet para vitit 2016, kur Malosso filloi të ngrejë teatrin e rremë antik në kodrat e Arcugnanos. Në një sipërfaqe prej 5.000 metrash katrorë ai instaloi shkallë të ndërtuara me gurë të punuar për t’u dukur të vjetër.
Kolonat janë prej çimentoje, ashtu si statujat prej suvaje dhe një pellg artificial nën ndenjëset e arenës. Struktura e njohur si Anfiteatro Berico është në fakt një gjysmërreth i frymëzuar nga një teatër romak.
Në vitin 2016, pas një ankese nga Bashkia e Arcugnano s, filloi një hetim që arriti në përfundimin se i gjithë kompleksi ishte modern dhe ishte ndërtuar pa lejet e kërkuara. Kjo shënoi fillimin e një procesi kompleks gjyqësor.
Qëllimi i Malossos mbetet i paqartë. Në fillim ai e paraqiti vendin si një vend arkeologjik të vërtetë. Më vonë, kur filluan hetimet, ai pretendoi se ishte një rindërtim i një teatri që kishte ekzistuar dikur nën kodër.
Por teoria u hodh poshtë nga Mbikëqyrja e Trashëgimisë Kulturore, e cila konstatoi se nuk kishte mbetje arkeologjike dhe se të gjitha strukturat ishin moderne.
Mbrojtja e tij argumentoi se falsifikimi ishte bëë kaq “në mënyrë të trashë” sa askush nuk mund ta besonte të vërtetë.
Por gjyqtarët konstatuan se instalimi ishte paraqitur si autentik dhe kishte gjeneruar përfitime ekonomike. Rasti vazhdon të shkaktojë habi në Itali.

Ekspertët pajtohen se një vend autentik arkeologjik është lehtësisht i dallueshëm për një specialist. Jacopo Bonetto, arkeolog në Universitetin e Padovës, shpjegon se identifikimi varet nga karakteristikat arkitekturore, materialet, teknikat e ndërtimit dhe gjendja e ruajtjes.
“Është krejtësisht absurde të mendosh se një ndërtesë antike mund të ngatërrohet me një moderne,” thotë ai.
Bonetto thekson gjithashtu se vetë vendndodhja duhet të kishte ngjallur dyshime. “Amfiteatrot antikë ndërtoheshin, në 99% të rasteve, në periferi të qyteteve romake. Një amfiteatër në mes të fshatit është natyrshëm i rremë,” thotë ai.
Sipas tij, mjaftoi një inspektim nga arkeologë kompetentë për të kuptuar se ishte një falsifikim.
Vendimi i gjykatës urdhëron Malosso-n të kompensojë qytetin, të prishë teatrin dhe të rivendosë kodrën në gjendjen origjinale, megjithëse ai urdhër ende nuk është zbatuar.