A e dini se skulptura e parë e bustit të Skënderbeut mban firmën e Murat Toptanit?

14 Korrik 2023, 19:57Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Skulptura e parë e bustit të Skënderbeut mban firmën e Murat Toptanit

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave na zbulon një fakt interesant, autorin e të parës skulpturë kushtuar Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ajo mban firmën e Murat Toptanit.

Artisti i njohur i Rilindjes Kombëtare, Murat Toptani, i cili artin e tij e shkriu midis Tiranës dhe Kalabrisë, në shek. XIX punoi për herë të parë bustin e Skënderbeut. Kryevepra e punuar mjeshtërisht në vitin 1898 dhe e ripunuar në vitin 1917 paraqiti portretin e Skënderbeut në skulpturë, si formën më të shkëlqyer për të përjetësuar imazhin e heroit.

Vepra monumentale e Toptanit do të ruhej në bronz nga mjeshtri i pazëvendësueshëm Odhise Paskali.

Busti sot ruhet në Galerinë e Arteve, ku gjendet në akuarel edhe vepra tjetër e Murat Toptanit, karikatura “Premtimet e Anglisë”.

Toptani ishte skulptor, piktor, poet, publicist dhe një nga veprimtarët e Rilindjes Kombëtare. Në 1884-ën, vazhdoi studimet në shkollën “Sulltanie” (Gallata Saraj), ku mori një kulturë që u reflektua më vonë në gjithë veprimtarinë e tij të larmishme artistike. Në mbarim të shkollës ai zotëronte disa gjuhë të huaja: frëngjisht, osmanisht, arabisht dhe persisht. Veprimtarinë e tij e zhvilloi kryesisht në Tiranë dhe në shoqëritë shqiptare jashtë atdheut (Stamboll, Napoli, Bukuresht etj). Mbajti kontakte të ngushta me vëllezërit Frashëri pasi ishte dhe dhëndri i Naimit. Murat Toptani ishte delegat i Tiranës në Kuvendin e Vlorës dhe nënshkrues i Aktit të Pavarësisë.

Ai gjithashtu shkroi shumë vjersha dhe artikuj publicistikë, ku një pjesë e poezive të tij u përmblodhën në librin “Vjershat e Murat Toptanit”, botuar në Tiranë në vitin 1924.

Video