GJKKO vendosi sot lirimin e menjëhershëm nga burgu të kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi. Ai akuzohej për falsifikimin e dokumenteve në shpronësimin e tokës ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit. U ndalua në mars të vitit 2022 por fitoi sot lirinë.
Ndalimi i Pëllumb Abeshit me urdhër të SPAK, habiti jo pak njerëz, kryesisht ata që kishin punuar me të gjatë një karriere të gjatë dhe akademike por edhe drejtimin e suksesshëm të një sërë institucioneve shtetërore.
Kjo, jo vetëm sepse Prof. Dr. Pëllumb Abeshi konsiderohet si një prej ekspertëve më të mirë në vend lidhur me politikat inovative të gjelbërta, porse ai do të ishte personi i fundit që do të mund të bënte një gabim në vendimet e tij.
Një teknik i nivelit të lartë, Abeshi ka 25 vite punë kërkimore akademike dhe është autor i shumë publikimeve shkencore në revista prestigjoze ndërkombëtare.
Prof. Dr. Abeshi gjatë karrierës së tij ka qënë pjesë edhe e botës akademike në vitet 2002-2012, 2002-2009 ka qënë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit. Nga viti 2009 ai ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Politikave Mjedisore dhe Jetësimit të Prioriteteve etj.
I ndaluar së bashku me 9 zyrtarë të tjerë, Abeshi duket se i shërbeu SPAK-ut më tepër si një statistikë për të fryrë numrat e arrestimeve që në media u bëhej një jehonë “e bujshme” madje duke abuzuar shpesh herë edhe me prezumimin e pafajësisë.
Një fat i keq i ngjashëm me SPAK-un preku edhe zv.kryetarin e FSHF-së Arben Dervishaj, i cili supervizoi punimet e inceneratorit të Fierit. Dervishaj u mbajt në burg, u kalua më pas në arrest shtëpie dhe deri sa më në fund arriti të fitojë pafajësinë e plotë pasi Gjykata e Posaçme rrëzoi të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, si ajo për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Madje në një rast të paprecedent, SPAK e akuzoi Dervishajn për “shpërdorim detyre” ndërkohë që ai nuk mbante post shtetëror, por ishte pjesë e sektorit privat.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.