Përplasja mes grupit të “Tarzanit” dhe “Sakatit”/ Baza e armëve në Elbasan, emrat e nxjerrë nga Dumani për ekzekutim

20 October 2022, 15:51Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Përplasja mes grupit të “Tarzanit” dhe
Endrit dhe Erjon Alibej dhe Arjan Spahiu

Policia e Elbasanit  ekzekutoi në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin e koduar “Prevention”, duke zbuluar një bazë armësh në një banesë, në lagjen “Gurabardhi”.

Më konkretisht, u gjetën:

• 4 armë zjarri kallashnikovë, dy prej të cilave të modifikuara dhe me silenciatorë;
• 3 pistoleta me silenciatorë;
• 2 mina me telekomandë, të gatshme për t’u aktivizuar për shpërthim me komandim në distancë, nëpërmjet aparateve celulare;
• Kapsolla detonatore;
• Një sasi lënde plasëse, e dyshuar “C4”;
• 4 aparate celulare;
• Sasi e konsiderueshme municioni luftarak, blindshpues.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, ekzistojnë indicie të bazuara në prova, se armët dhe minat e telekomanduara do të përdoreshin për ekzekutimin e personave, për llogari të grupeve kriminale të evidentuara nga ana e Policisë.

Në pranga u vunë dy 37-vjeçarët Luis Gaxhi dhe Rigers Spahiu. Vox News.al mëson se ky i fundit është vëllai i Ardit Spahiut, ose siç njihet ndryshe me nofkën “Arjani i Vogël”, i vrarë më 27 Nëntor të vitit 2020 në në Bruksel, në bulevardin “Edmond Machtens”, pranë lagjes së njohur Molenbeek.

Spahiu është vëllai i kunatit të Erion Alibej, i arrestuar nga prokuroria e Elbasanit si person i dyshuar për urdhërimin e organizimit të dy vrasjeve që tronditën Elbasanin. Bëhet fjalë për ngjarjet e ndodhura më 20 dhe 29 korrik, vrasja e Emiljano Ramazanit dhe shokut të tij, Regis Runajt në Elbasan.

Po ashtu, ai dyshohet dhe si porositësi i vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.

Përplasja mës grupit të “Tarzanit” dhe “Sakatit”

Ardit (Arjan) Spahiu dhe Erjon Alibej apo edhe Rigers Spahiu që u arrestua sot bëjnë pjesë tek grupi i “Tarzanit”. Ky grup ka marrë këtë emër, pasi udhëhiqej nga Endri Alibej, i cili njihej ndryshe me nofken “Tino” në Itali ose në shqip “Tarzani”.

Dy vëllezërit Alibej dyshohet se drejtonin një grup të trafikut të drogës nga Holanda.Ndërsa dyshoheshin për trafikim dhe shpërndarje lënde narkotike në veri dhe në qendër të Italisë.

Por, përplasja mes dy grupeve nis që në Britaninë e Madhe. Aty, ku një sasi e madhe droge e zhdukur, 50 kg kokainë, do të sillte me kalimin e kohës viktima të shumta midis dy grupeve.

Endrit Alibej u ekzekutua në dhjetor të vitit 2018 në afërsi të Kombinatit Metalurgjik, në Bradashesh bashkë me turkun Erdal Durunay  dhe kushëririn e tij Arben Dylgjeri.

Kjo masakër, brenda një kohe të shkurtër prodhoi edhe 6 të vrarë të tjerë. Ekzekutime, të cilat dhanë për grupin hetues edhe një panoramë më të qartë të asaj që po ndodhte në Elbasan, ku tashmë kishte një shpallje lufte të deklaruar midis dy grupeve rivale.Ku në mes, mesa duket edhe këtë herë ishte prishja e pazareve të drogës.

Një vit më vonë, po në muajin dhjetor, në vitin 2019, u ekzekutua një tjetër ‘rob’ i ‘Tarzanit’. Këtë herë ishte djali i hallës së Endrit Alibejt, Andi Zylyfi kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi. Edhe pse pa preçedentë penalë, Zylyfi u vra në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, teksa ndodhej në makinë me Ardit Uruçin, mikun e tij që fatmirësisht i shpëtoi këtij atentati.

Sapo kaluan shtatë muaj, erdhi një tjetër viktimë. Mesnatën e 1 korrikut, Klevi dhe Aldo Baho, vëllezër u qëlluan me breshëri plumbash dhe njëri prej tyre vdiq. Klevi mbeti i vrarë, ndërsa Aldo u plagos rëndë, por sot jeton.

Më pas u ekzekutuan dhe Emiljano Ramazani, Regis Runaj dhe Bujar Çela, të cilat i cituam dhe më herët dhe dyshohen si hakmarrje për vrasjet më lart.

Erion Alibej, i ndodhur tashmë pas qelisë, vendosi të zbërthehet për prokurorët belgë të ardhur në Shqipëri, të gjithë mekanizmin e vrasjës së Ardit Spahiut. Ai akuzon për të gjitha të këqijat që po i ndodhnin familjes së tij, bandën e Çopjave. Por nuk do të pranojë në asnjë moment se shkak është përfshirja dhe më pas prishja e pazareve të drogës me grupin rival, me të cilin siç e pranon edhe vetë, dikur vëllai i tij kishte patur shoqëri.

Grupi drejtohet nga tre vëllezër Hajdar Çopja, Franc Bako alias Çopja dhe Ervin Bako alias Çopja, ku njëri prej tyre është invalid dhe thirret me nofkën “Sakati”. Grupi dyshohet se e ka qendrënnë Dubai. Pjesë e tyre ëshët dhe Mikel Qosja (Kamami) ose siç thirret ndryshe “Keli i Kiçit”, i cili po dhe ky qendron në Dubai.

Dëshmia e Erjon Alibejt:

“Ardit Spahiu është vëllai i burrit të motrës time. Endriti vëllai im e kishte më të afërt, ndërsa unë kisha marrëdhënie normale.Kur ka ndodhur vrasja e Arditit unë kam qenë në burg dhe e kam marrë vesh nga kunati im në telefon. Kam marrë vesh që ai ishte në makinë me një shokun e vet. Mesa më kanë thënë ka bërë një ndalesë, po nuk e di se ku dhe aty ka shkuar paralelisht një makinë. Arditi ka dalë nga makina dhe ka ikur me vrap afër një parku, autorët e kanë ndjekur dhe e kanë vrarë më pas në park.

Ai më thoshte se po merrej me përzierjen e lëndës së kokainës kundrejt çmimeve që i jepnin persona që u bënte këtë shërbim. Jam i sigurtë që kanë paguar për vrasjen e tij sepse Arditi po zbulonte planet e tyre. Me punën që bënte Arditi dhe duke menduar një grup si i Çopjave që merrej me kokainë lidhjet që kanë ata dhe lekëve që disponojnë mund të kenë futur çdokënd në mes për të marrë informacion, po ashtu edhe ndonjë shokun e ngushtë të Arditit për të identifikuar atë dhe lëvizjet e tij. Unë di që Arditi ka qenë i rrezikuar sepse ai ka qenë njeriu i vetëm që ka hulumtuar nga radhët tona për të marrë vesh se si kanë ndodhur ngjarjet, kush ishin ata, si edhe që mësoi për veten e tij që po e kërkonin për ta vrarë.

Mesa më ka thënë Arditi dhe në biseda vërdallë flitet për miliona euro për vrasjet me pagesë.Për ne kundërshtarët tanë janë familja Çopja, sepse ne kemi investuar shumë nga vetja për ta marrë vesh këtë gjë.Franc Çopja është më i vogli, nga 3 vëllezërit por më i rëndësishmi pasi ka lidhjet me bizneset e lëndëve narkotike. Nga ai kanë ardhur pasojat e ngjarjeve që kanë ndodhur aktualisht, pasi ata mbështeten te një shoku i tyre që kanë 5 vite që e njohin, që quhet Mikel Qosja (Kamami).I cili është në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e vëllait tim. Ai jeton në Dubai me familjen, nusen dhe një vajzë. Franci ka miq marokenë dhe shkon shpesh në Marok ku thonë se ka investuar në atë vend. Marokenin e thërrasin “Baloti”. Ai është një person shumë i njohur në të gjithë botën dhe ky e ka ndihmuar shumë duke i hapur rrugët në trafikimin e drogës kokainë.Sot e kësaj dite ata ia kanë pranuar të gjithëve në Dubai që janë organizatorët e këtyre ngjarjeve.Mesa di unë një ngarkesë droge që atyre iu është kapur në Brazil diku më shumë se 600 kg kokainë, me logon e një skuadre futbolli në Elbasan dhe ajo është për financat e tyre. Ato gjithë këto para i investojnë në Dubai dhe mesa kam marrë vesh kanë blerë një shtëpi rreth 20 milionë euro në një vend të quajtur “Palma” dhe një shtëpi tjetër e kanë përballë një rrote të madhe tip karoseli në Dubai. Këta janë njerëz që nuk arsyetojnë si njerëz normal pasi nuk mund të bësh masakër para familjes dhe fëmijëve.

Ne me vëllezërit Çopja kemi patur lidhje dhe vëllai im Endriti ka pas shkuar me ato.Në bazë të analizave të mia, duke filluar nga ngjarja e parë kur u vra vëllai im dhe sot e kësaj dite, mendoj se përplasja ka lindur si pakënaqësi dhe inate të brendshme apo sedre të atyre, që kur vëllezërit Çopja bënë një tentativë vrasje në Elbasan ndaj disa personave të tjerë.Ngjarje e cila është hetuar nga policia e Elbasanit, midis vëllezërve Çopja dhe një personi të quajtur Ervis. Endriti nga grupi tjetër i Ervisit, njërin nga vëllezërit e tij e kishte shumë shok. Njëri nga ato persona i ka kërkuar Endritit para borxh, diku te 30 mijë euro. Në momentin që familja Çopja e mori vesh nuk i erdhi mirë dhe filloi të fliste që Endriti nuk bëri mirë që ua kishte dhënë paratë. Kam dëgjuar se familja Çopja ka qenë ortake me një anglez. Ato e kanë bërë vetë lojën që ti merrnin anglezit 25 kg nga 50 sa ishte sasia. Nëpërmjet një personi,‘Liçja’ që çuan tek anglezi me pretendimin qëky ishte personi që kishte mallin dhe ky e humbi. Liçja mesa di unë quhet Ilir Lloshi nga Elbasani, është gjallë dhe është moshatar me Çopjat.

Unë shtroj pyetjen si ka mundësi qëLiçja është gjallë dhe njerëzit e mi janë vrarë kur supozohet se zanafilla e vrasjeve është 50 kg i kokainës.

Atentati tjetër është bërë ndaj një shoku tim të fëmijërisë dhe ka patur një viktimë dhe një të plagosur që janë dy vëllezër, Aleksandër Baho dhe Klevi Baho, ku ky i fundit u vra. Pas kësaj ata vranë edhe djalin e dajës tim, Andi Zylyfi. Si edhe Ardit Spahiun.Këtu në Shqipëri çdo organizim e ka bërë Mikel Qosja ose Kamami.Sipas të dhënave që kemi dhe ato që ka zbuluar Arditi, njëri nga këto organizator është edhe Talo Çela nga Elbasani. Për të cilin unë besoj se ka qenë në të gjitha atentatet e vrasjeve. Unë e pyeta Arditin si e gjete këtë informacion dhe mbaj mend se më ka thënë se ato kanë bërë një takim, dmth Mikeli dhe Talo si dhe një djalë tjetër me emrin Altin, të cilët  kanë takuar një person që mua më ka ardhur dhe në varrim për respekt dhe quhet Dorjan Dule ose Duli. Sipas Arditit, Mikel Qosja, Talo Çela dhe Altini, kur kanë shkuar në takim me Dorjanin, e kanë provokuar duke i thënë se të kemi përgjuar kur ke qenë në varrim të Endrit Alibej dhe ne dimë që do të na vrasësh ne, por sa para do ti dhe na vrit Erjonin dhe Ardit Spahiun ose në të kundërt hiq dorë dhe largohu.Talo Çelën unë se kam njohur kurrë personalisht por figurën e tij unë kam filluar ta njoh kur filloi të dilte emri i Çopjave, nga ku doli edhe emri i tij.”

Pra, nga dëshmia, për të gjitha këto vrasje, Erion Alibej akuzon bandën e Çopjave dhe Mikael Qosja (Kamani).

Por, edhe nga dëshmitë e Dumanit, kuptohet se porositësit e vrasjes së Ardit (Arjan) Spahisë janë vëllezërit Çopja.

Sipas dëshmisë së dhënë para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Nuredin Dumani tregon se vetëm për “kokën”, e Arjan Spahiut, kunatit të Erjon Alibej, i është afruar një shumë prej 300 mijë euro.

“…Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për tu ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë, do më jepte 300 mijë euro…” – shprehet Dumani.

Por Dumani tregon se çdo informacion apo plan që merrte për vrasjen e anëtarëve të grupit të Alibejt, ai ja përcillte Arjan Spahisë. Dhe një gjë të tillë e ka bërë edhe kur Kel Kamami ose siç thirret ndryshe “Keli i Kiçit” i ka kërkuar vrasjen e Erjon Alibejt.

“…Kel Kamami, ka dashur të organizojë një atentat që ta bënte me hedhjen në erë të gjithë pallatin, ku jetonte, Erjoni. Për këtë atentat të kësaj natyre, flitej për një shumë që shkonte në 2 milion euro. Keli ma ka çuar dhe SMS, pseudonimin e Erjon Alibej, që sipas tij ishte “Krymi”. Këtë fakt unë ja thashë Arjanit…” – deklaron Nuredin Dumani.

Lista me emrat që do ekzekutoheshin nga grupi i “Tarzanit”

Për shkak se Dumani ka shfaqur besueshmëri dhe besnikëri në ndarjen e informacionit, Alibej dhe Spahiu, e kanë vënë atë në provë duke i kërkuar të vinte në zbatim planin për spastrimin e një liste emrash që kishin marrë pjesë në vrasjen e Enea Alibej, Arben Dylgjerit, Erdal Durunay dhe Andi Zylyfit.

Sipas Spahisë, personat si Talo Çela, Altin Ndoci, Besmir Haxhia, Dorjan Shkoza, Kel Kamami ose “Keli i Kiçit” dhe vëllezërit, Hajdar Çopja, Franc Bako alias Çopja dhe Ervin Bako alias Çopja, duhet të eleminoheshin kundrejt pagesës nga grupi i Nuredin Dumanit.

I pari që është vrarë në këtë listë ka qenë Dorjan Shkoza, kundrejt një pagese prej 50 mijë euro, shumë kjo që është sjellë tek Dumani nga Erjon Alibej, përmes kushëririt të Eljo Bitrit i quajtur Fati Koçi, i cili aktualisht është në burg në Belgjikë.

“…në vrasjen e Dorjan Shkozës, ka mbetur i vdekur dhe Anxhelo Avdija. Dua të shtoj që Klevis Alla,më është shprehur pas ngjarjes që kishte pasur interes për vrasjen e Anxhelo Avdijsë, pasi ky i fundit i kishte bërë video intime motrës së Klevisit…” – thotë Dumani.

Pas vrasjes së Dorjan Shkozës, ai i ka shkruar Arjan Spahisë një simbol në telefon, që nënkuptonte vrasje.

Por, siç duket hakmarrja e grupit të “Tarzanit” ndaj grupit të “Sakatit” vazhdon ende edhe pse Endrit Alibej dhe Ardit (Arjan) Spahiu janë ekzekutuar dhe Erion Alibej ndodhet pas hekurave. Këtë gjë e dëshmon operacioni i sotëm me dy të arrestuarit dhe bazën e armëve, ku njëri prej tyre është vëllai i Ardit (Arjan) Spahiut.

Prokuroria deklaroi se armët ishin bërë gati për t’u përdorur në ngjarje kriminale dhe me shumë mundësi, në shënjestër për t’u ekzekutuar kanë qenë emrat e mësipërm, një listë e lënë përgjysëm nga Nuredin Dumani.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video