
Aksesi në financim, pasiguria gjeopolitike dhe transformimi digjital i sektorit financiar ishin në fokus të konferencës ndërkombëtare “Trade Finance and Factoring Conference 2026”, organizuar nga (Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë për Shqipërinë) ICC Albania në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Konferenca, bëri bashkë përfaqësues të institucioneve financiare, bankave tregtare, institucioneve publike dhe ekspertë ndërkombëtarë për të diskutuar mundësitë e zgjerimit të financimit të tregtisë dhe forcimit të konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare në tregjet globale.
Aktiviteti u hap me prezantimin e gjetjeve kryesore të ICC Global Trade Intelligence Survey 2026, një anketim me 100 ekspertë të sektorit bankar në nivel global. Sipas rezultateve, pasiguria gjeopolitike dhe ndryshimet në politikat tregtare mbeten ndër shqetësimet kryesore të industrisë, ndërsa transformimi digjital dhe automatizimi renditen mes pesë prioriteteve kryesore strategjike për rreth 75% të të anketuarve.
Në fjalën e mirëseardhjes, Hannes Takacs, Drejtues i BERZH-it në Shqipëri, vuri në dukje potencialin e financimit të tregtisë për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri, duke theksuar se këto instrumente nuk janë të rëndësishme vetëm për kompanitë e mëdha, por edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Duke iu referuar gjetjeve të raportit global, Ardita Seknaj, Sekretare e Përgjithshme e ICC Albania, theksoi se Shqipëria përballet me shumë prej të njëjtave sfida që evidentohen globalisht, por duhet të përshpejtojë zhvillimin e instrumenteve financiare, digjitalizimin dhe përshtatjen e tregut me nevojat e bizneseve.
Përmes paneleve të diskutimit, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë trajtuan rolin e bankave në lidhjen e Shqipërisë me tregjet globale, instrumentet e financimit të tregtisë dhe mundësitë për mbështetjen e eksportuesve dhe importuesve shqiptarë. Vëmendje e veçantë iu kushtua financimit të tregtisë së gjelbër, standardeve ndërkombëtare dhe zhvillimit të zgjidhjeve financiare që mbështesin rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Transformimi digjital ishte një tjetër temë qendrore, me diskutime mbi përdorimin e inteligjencës artificiale, automatizimin, dokumentacionin elektronik tregtar dhe bashkëpunimin mes bankave dhe kompanive fintech, si mundësi për të përshpejtuar transaksionet dhe reduktuar kostot për bizneset.
Një hapësirë e dedikuar iu rezervua edhe faktoringut, si instrument që u mundëson kompanive të sigurojnë likuiditet duke i kthyer faturat e papaguara në fonde të disponueshme përpara afatit të arkëtimit. Ky mekanizëm përbën një mundësi veçanërisht të rëndësishme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke i ndihmuar të menaxhojnë kapitalin qarkullues, të financojnë porosi të reja dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
Rëndësia e këtyre instrumenteve shkon përtej sektorit bankar. Sipas Organizatës Botërore të Tregtisë, rreth 80–90% e tregtisë botërore mbështetet në forma të financimit të tregtisë, duke dëshmuar rolin e tyre thelbësor në funksionimin e zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit.
Konferenca “Trade Finance and Factoring Conference 2026” shërbeu si një platformë dialogu mes sektorit financiar, institucioneve publike dhe komunitetit të biznesit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit, inovacionit dhe zgjerimit të aksesit në financim për të mbështetur rritjen dhe konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.