
Poli jugor i Diellit është fotografuar për herë të parë nga jashtë planit ekliptik.
Anija hapësinore Solar Orbiter udhëtoi 15 gradë poshtë ekuatorit diellor dhe shkrepi këto imazhe në mes të marsit, të cilat Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA) dhe NASA i publikuan të mërkurën.
Është anija e dytë hapësinore që ka kaluar mbi polet e Diellit, pas Ulysses që operoi nga 1990-2009 dhe nuk kishte aftësinë për të bërë fotografi.
Duke e përshkruar si një “epokë të re të shkencës diellore”, drejtoresha e shkencës në ESA, Carole Mundell, shtoi: “Dielli është ylli ynë më i afërt, jetëdhënësi dhe njëkohësisht shkatërruesi i mundshëm i sistemeve moderne hapësinore dhe tokësore të energjisë, prandaj është thelbësore që ta kuptojmë se si funksionon dhe të mësojmë të parashikojmë sjelljen e tij.”
Sipas ESA, imazhet e mëparshme të Diellit janë marrë nga zona përreth ekuatorit të tij.
Kjo ndodh sepse Toka, planetët e tjerë dhe të gjitha anijet e tjera hapësinore orbitojnë rreth Diellit brenda një disku të sheshtë përreth tij, të quajtur plani ekliptik.
Megjithatë, duke anuar orbitën e vet jashtë këtij plani, Solar Orbiter e ka kapur yllin nga një kënd krejtësisht i ri dhe meqë anija hapësinore pritet të anojë edhe më tej, “pamjet më të mira s’kanë ardhur ende.”
Ndryshe nga Toka, e cila ka pole të qëndrueshme veriore dhe jugore, polet e Diellit ndryshojnë çdo 11 vjet.
Ekuatori i Diellit rrotullohet më shpejt se polet, çdo 26 ditë krahasuar me çdo 33 ditë që do të thotë se ai nuk rrotullohet si një trup i ngurtë, por bëhet aq i paqëndrueshëm sa përfundimisht përmbyset.
Aktualisht, Dielli ndodhet në atë që quhet “maksimumi diellor”, një fazë kur ylli po i afrohet përmbysjes polare.
Gjatë kësaj periudhe, njollat dhe stuhitë diellore janë më aktive.
Pas pesë ose gjashtë vitesh, Dielli do të arrijë në “minimumin diellor”, kur aktiviteti i tij magnetik do të jetë në nivelin më të ulët.
Imazhet e Solar Orbiter shfaqin një mozaik të polaritetit verior dhe jugor në bazën e Diellit.
Anija hapësinore do të vazhdojë orbitën e saj përreth Diellit deri në vigjiljen e Krishtlindjes së vitit të ardhshëm. Fluturimi i radhës do të jetë pranë Afërditës në vitin 2029.
Dielli ndodhet rreth 149 milionë kilometra larg Tokës dhe është burimi kryesor i energjisë për jetën në planetin tonë.