Drejtësia përballë protestave: Kur mbaron retorika politike dhe fillon ligji

18 October 2026, 14:28Pikëpamje SHKRUAR NGA EUGEN BECI

Drejtësia përballë protestave: Kur mbaron retorika politike dhe

Në situata të tensionuara protestash, sistemi i drejtësisë kalon testin e tij më të madh: a mund të ruajë pavarësinë dhe të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë, apo do të ndikohet nga presioni i ditës?

Nga pikëpamja e procedurës penale dhe shtetit të së drejtës, standardi duhet të jetë i prerë dhe pa kompromise:

1. Kush i ndëshkon veprimet e paligjshme të policisë?

Asnjë uniformë nuk jep imunitet. Veprimet e paligjshme, tejkalimi i forcës apo shoqërimet e dhunshme nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit duhet të hetohen menjëherë nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm (për oficerët e nivelit zbatues) në bashkëpunim me AMP. Ky nuk është një opsion, por detyrim ligjor. Prokuroria duhet të sekuestrojë planet e masave, urdhrat e operacionit dhe pamjet filmike, duke i trajtuar shkeljet e policisë me të njëjtën ashpërsi siç trajton aktet e dhunshme të protestuesve.

2. Roli i SPAK: "aktet terroriste" dhe zyrtarët e lartë

Kur diskursi politik përshkallëzohet duke i etiketuar zhvillimet si "akte terroriste", kompetenca ligjore kalon ekskluzivisht tek SPAK. Ligji ia ka dhënë këtë kompetencë SPAK-ut, ashtu siç i ka dhënë kompetencën të hetojë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë apo drejtuesit e lartë të Policisë nëse japin urdhra të paligjshëm.

Megjithatë, SPAK duhet të veprojë si një filtër objektiv: klasifikimi i një vepre si "terrorizëm" bëhet vetëm nëse provohen elementët e posaçëm të Kodit Penal, dhe kurrë mbi bazën e deklaratave politike apo emocioneve publike. SPAK duhet të godasë ashpër aty ku ka fakte, dhe të rrëzojë akuzat kur ato janë thjesht fasadë politike.

3. Çfarë do të thotë hetim objektiv?

Neni 304 i Kodit të Procedurës Penale e detyron prokurorin të mbledhë prova si për të fajësuar, ashtu edhe për të shfajësuar të dyshuarit. Kjo do të thotë që faji nuk prezumohet. Çdo sjellje—qoftë e protestuesit që hedh një mjet piroteknik, qoftë e policit që përdor shkopin e gomës jashtë rregullave—duhet t'i nënshtrohet të njëjtit standard prove.

Si kthehet besimi i publikut?

Besimi te drejtësia nuk vjen me deklarata, por me një drejtësi me "sy të lidhur". Publiku do të besojë te shteti i së drejtës vetëm ditën kur të shohë që një polic që shpërdoron detyrën, një zyrtar i lartë që jep një urdhër të paligjshëm, dhe një protestues që kryen vandalizëm, përgjigjen njëlloj përpara ligjit. Drejtësia nuk bën politikë; drejtësia heton fakte!


Video