Dështon tentativa e radhës e Kurtit, PDK refuzon ‘pakt’ për presidentin: UÇK-ja s’bëhet pjesë e pazareve politike

6 October 2026, 21:51Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dështon tentativa e radhës e Kurtit, PDK refuzon ‘pakt’
Rreth dy orë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, sheshi pranë Kuvendit është mbushur me protestues.

Kjo e martë shënon afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Nëse Kuvendi dështon, ai shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Rrjedhimisht, edhe mundësia e fundit që kjo përbërje e Kuvendit t’i votojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Kryeministri Albin Kurti ka dalë në një konferencë të dytë  duke njoftuar emrin e Glauk Konjufcës dhe Feride Rushiti, si kandidatët për president. Kurti iu drejtua me një propozim dhe kreut të PDK-së Bedri Hamza, duke thënë se do të shqyrtonte që sonte propozimin për ligjin për Specialen nëse ai zotohet që grupi i tij parlamentar të shkojë në Kuvend për votimin.

Bedri Hamza ka refuzuar ta kthejë në pakt zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Hamza e ka hedhur poshtë edhe ofertën e dytë të kryeministrit Albin Kurti për kalimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale dhe zgjedhjen e presidentit në një seancë këtë mbrëmje.

Pak kohë më parë, Kurti tha se partia e tij do t’i kalojë në lexim të dytë ndryshimet e propozuara nga PDK-ja në ligjin për Gjykatën Speciale qysh sonte, nëse ajo ia voton partisë në pushtet Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin për president të ri të Kosovës.

Hamza iu përgjigj tani duke thënë se “kjo nuk është aspak serioze”.

“Kjo temë po tentohet të shndërrohet në pazare të minutave të fundit”, shtoi Hamza.

Sipas tij, Kurti dëshiron “autoritet të plotë” mbi institucionet kryesore të Kosovës.

“Qëllimi është si ta përdorë ligjin thjesht dhe direkt për shantazh për ta arritur qëllimin politik për ta pasur një president politik dhe për ta përmbyllur plotësisht kapjen e institucioneve të shtetit”, tha ai.

Hamza tha se për herë të fundit ka komunikuar me Kurtin sot në mesditë, kur e ka njoftuar se për Partinë Demokratike të Kosovës “duhet të kalojë ligji leximin e dytë dhe pastaj mund flasim dhe të kemi marrëveshje për presidentin”.

“A kësaj i thonë marrëveshja? Kësaj i thonë një ligj për një çështje madhore, kombëtare, po ta votoj që ky është presidenti”, shtoi ai.

Propozimi i Albin Kurtit për PDK-në

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se partia e tij do t’i kalojë në lexim të dytë ndryshimet e propozuara nga PDK-ja në ligjin për Gjykatën Speciale që prej mbrëmjes së sotme, nëse PDK voton Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin për president të ri të Kosovës.

Kurti ka shprehur gatishmërinë që LVV-ja ta votojë ligjin për Specialen, para se të procedohet me votimin për presidentin e ri të Kosovës.

“Pra, ne ua votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht e mandej sonte menjëherë votimi për president, Glauku ose Feridja”, tha Kurti.


Video