Unaza e Madhe, hapet për qarkullim nënkalimi dhe rrethi i ri në afërsi të Saukut

3 Shtator 2022, 13:14Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Është hapur për qarkullim një nga portat hyrëse e dalëse me të rëndësishme të kryeqytetit. 

Rama shkruan se kjo vepër e rë infrastrukturore çliron ngërçin e madh të krijuar nga rritja e ndjeshme e trafikut dhe garanton lëvizjen e pandërprerë të automjeteve në autostradën Tiranë-Elbasan.

‘Hapet para afatit me një sistem të ri kalimesh një nga portat hyrëse dhe dalëse më të rëndësishme të kryeqytetit

Kjo vepër e re infrastrukturore çliron ngërçin e madh të krijuar nga rritja e ndjeshme e trafikut dhe garanton lëvizjen e pandërprerë të automjeteve në autostradën Tiranë – Elbasan, duke krijuar mundësinë për hyrje-dalje nga autostrada Tiranë–Elbasan për Unazën e Madhe të Tiranës, si edhe hyrje-dalje nga autostrada Tiranë–Elbasan për zonën e banuar në Kodrat e Saukut dhe fshatrat Baldushk e Petrelë’- shkroi Rama
Në shoqërinë e zv. kryeministres Balluku Rama ka thënë se kjo formulë është pozitive. Ai gjithashtu foli për procesin e shpronësimeve në kuadër të projekteve zhvillimore, ku tha se nuk do mund të mbahen peng të githë njerëzit në qytetet vetëm se disa kujtojnë se me gjuhën e forcës do të mund të bëjnë diçka për të penguar. 

Zv. kryeministrja Balluku sqaron se kanë përfunduar 85% të punimeve. Sipas saj, kjo ishte një nyjë e rëndësishme që vijon me mosbllokimin e automjeteve që vijnë nga Elbasani në Tiranë. 

“Sot mbi 85% e punimeve janë të përfunduara. Nuk jemi më në kushtet e hapjes provizore. Policia e Shtetit ka marr në dorëzim mbikëqyrjen e aksit dhe mbeten punë të vogla që kanë të bëjnë me gjelbërimin, ndriçimin, me rrugët lidhëse paralele me veprën, që do të përfundojnë sipas kontratës. Kjo është një nyje shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh dhe funksionet që ka. Lidhjen me unazën Lindore, kalimin e të gjithë automjeteve pa bërë më rreth rrotullimin në drejtim të Elbasanit dhe të gjithë automjetet që vijnë nga Elbasani për në Tiranë nuk do të bllokohen më. Sigurisht i shërben dhe pjesës së kësaj qendre, që është krijuar një pol ekonomik tashmë dhe ndërtesave të tjera që shërbejnë për zyra. Kështu që këtu kemi një frymëmarrje të re të trafikut. Koha do të shkurtohet për të aksesuar të gjitha degët e tjera të unazës së madhe, e cila ka një kompleksitet të shtuar për shkak dhe të shpronësimeve dhe paketës së kompensimit që po aplikojmë në këtë zonë”,  u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku.

Video