Turizmi që s’po “tërheq” dot ekonominë. Çfarë duhet bërë me sektorin?

24 February 2024, 09:08Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Turizmi që s’po “tërheq” dot ekonominë.

Vendin tonë e vizituan më shumë se 10 milionë turistë në vitin 2023, duke arritur kështu një rekord historik. Ky bum ka sjellë rritje të të ardhurave, që vijnë direkt nga turizmi në ekonomi, por edhe të të ardhurave indirekte tek industritë mbështetëse, apo të lidhura me sektorin, që njihen si zinxhir i vlerës. Cilat janë arsyet që zinxhiri i vlerës për disa industri nuk po funksionon dhe si mund të forcohen këto hallka për të maksimizuar përfitimin ekonomik dhe social nga turizmi?

Çfarë duhet bërë me këtë sektor kur pritshmëritë janë shumë të larta për sezonin e ri turistik, duke synuar 13-15 milionë vizitorë, e kur rezervimet në hotele janë rritur me 30%? Kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit Zak Topuzi, ka thënë në një intervistë për Scan Tv se sfidë në këtë sezon mbetet infrastruktura dhe mungesa e fuqisë punëtore. Sipas tij, operatorët turistikë, duhet të punojnë fort me rritjen e cilësisë së shërbimeve, kualifikimin e stafit dhe rritjen e pagave.

“Nga informacioni që ne kemi ka një rritje me 30% të rezervimeve të paketave të plota në hotelet e bregdetit dhe kjo e bën pozitive situatën në Shqipëri. Rezervimet kanë qënë të dukshme për muajin janar-shkurt, të cilat në vitet e mëparshme kanë qënë muaj të vdekur, për 2024 ka patur rritje me dy shifra dhe sigurisht janë sinjale pozitive. Ne duhet të mobilizohemi dhe përgjegjësia kryesore i takon pushtetit lokal, pushtetit qëndror, e po ashtu dhe bizneset duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të krijuar lehtësi dhe mundësi maksimale për pushuesit’’, thotë kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Duke vlerësuar rritjen e turizmit elitar me 26%, një nga destinacionet që mund të ketë ndikim të lartë në këtë sektor sipas Topuzit, është dhe porti i ri Durrës.

“Një nga destinacionet që mund të quhet turizëm elitar është dhe porti i jahteve Durrës, por që sipas vetë investitorëve pritet të mbyllet për 5-7 vjet. Ne duhet të përgatitemi gradualisht. Në një konferencë të rëndësishme, ku diskutuam me një nga investitorët më të rëndësishëm strategjik Alabbar, ai shprehu opinionin e tij për turizmin shqiptar dhe pikat më të rëndësishme ishin se nuk duhet të humbasë kjo mundësi që Shqipëria ka, në mënyrë që këta turistë që vijnë të kenë kontakt me banorët vendas, të mësojnë nga historia e vendit dhe të mësojnë nga zakonet e tyre. Në rast se do ta humbisni këtë mundësi sipas Alabbar, ne do të humbasim shumë nga turizmi shqiptar”, ka thënë Topuzi.

Topuzi thekson se tashmë duhet që turistët të mos e shohin me Shqipërinë si një vend low cost, ndërsa vlerëson dhe zhvillimin e agroturizmit në vend.


Video