
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konfirmoi edhe zyrtarisht lajmin e dhënë nga Voxnews.al për bllokimin e llogarive dhe aseteve të Birrës Tirana.
Bllokimi është bërë për mosshlyerje detyrimesh që shkojnë mbi 1.7 mln euro. Tatimet thonë se kanë ndërmarrë një kontroll në muajt janar-prill 2022 në ambientet e kompanisë, ku ka zbuluar produkte pa dokumentacionin e duhur tatimor në vlerën e 18 mln lekëve.
“Ky subjekt ka kryer shmangie të detyrimeve tatimore dhe doganore bazuar në diferencat në inventar në: Lëndë të parë Malto; Produkt i gatshëm; Ambalazhe; Mallra pa dokumentacion tatimor (faturë tatimore) te distributorët”, thuhet në njoftim.
Rasti është referuar përmes një kallëzimi penal edhe në prokurorinë e Tiranës.
Voxnews.al raportoi të martën për këtë vendim të tatimeve për detyrimet e prapambetura që lidhen me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Tatim-Fitimin, Tatimin e Mbajtur në Burim, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve nuk janë paguar që prej vitit 2019.
Detyrimet përfshijnë rreth 127 milion lekë TVSH e paderdhur bashkë me gjobën për shkak të vonesës, nga të cilat rreth 82 milion lekë TVSH e pashlyer dhe 44 milion lekë gjoba për tejkalim të afateve;
Rreth 15.6 milion lekë detyrime, që burojnë nga tatim-fitimi, bashkë me gjobën për shkak të vonesës; Rreth 5.6 milion lekë Tatimi në Burim, bashkë me gjobën për vonesat; Rreth 39 milion lekë detyrime të papaguara të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve, bashkë me gjobën përkatëse për vonesat.
Në total, detyrimet e “Birra Tirana” sh.a. arrijnë në rreth 188 milionë lekë, ose rreth 1.7 milion euro.