
Qeveria ka mbledhur vetëm në tre muajt e parë të këtij viti gati gjysmën e shumës së parashikuar nga taksimi i jashtëzakonshëm i prodhuesve të mëdhenj privatë të energjisë elektrike.
Në buxhetin e këtij viti, Qeveria parashikon që në total nga kjo taksë, që në legjislacion quhet kontribut social i jashtëzakonshëm dhe jo taksë, për të shmangur kundërshtimin e saj si antikushtetues, të mbledhë 8.3 miliardë lekë, ose rreth 70 milionë euro.
Por, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, deri më 31 mars të këtij viti, kontributi social i prodhuesve të mëdhenj privatë të energjisë elektrike ishte 4.1 miliardë lekë, ose gati 35 milionë euro.
Shkak i performancës pozitive mund të jetë bërë edhe moti relativisht i lagësht, që mbushi hidrocentralet dhe rriti sasinë e prodhuar nga HEC-et private, që në tremujorin e parë të vitit zinte 43 për qind të totalit të energjisë së prodhuar në vend.
Nëse edhe muajt e vjeshtës do të shoqërohen me reshje të bollshme shiu, të ardhurat në buxhet nga kontributi social i prodhuesve privatë të energjisë elektrike mund të tejkalojnë 100 milionë eurot.
Qeveria vendosi në fund të vitit të kaluar të tatojë me 50 për qind prodhuesit e mëdhenj privatë të energjisë elektrike, që shumëfishuan fitimet prej rritjes së çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe jo prej investimeve të kryera.
Një taksë e ngjashme është vendosur edhe nga vendet e Bashkimit Europian për prodhuesit e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. Në Shqipëri, sipas vendimit të miratuar taksohet energjia e prodhuesve privatë të mëdhenj që shitet mbi çmimin 8.5 lek për kilovat, që është çmimi që shteti shqiptar ua blen HEC-eve të vogla.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.