Pas çeljes së Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, bujqësia shqiptare hyri në një fazë të re reformash, me fokus tek kapitujt 11, 12 dhe 13, të cilat lidhen me përgatitjen e sektorit drejt standardeve të Bashkimit Europian.
Në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, kryeministri Edi Rama prezantoi mekanizmat praktikë për mbështetjen e fermave, duke theksuar rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë deri në 100 milionë euro dhe përdorimin e platformës Euro Agro Albania si një instrument të ri koordinimi dhe informacioni për fermerët.
Sipas kryeministrit, çdo projekt i duhur do të financohet, ndërsa Euro Agro Albania do të shërbejë si udhërrëfyes për standarde, afate dhe procedura konkrete, duke krijuar një kanal të hapur dialogu mes fermerëve, AZHBR-së dhe institucioneve financiare.
“Me rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë që duam ta çojmë deri në 100 milionë euro, me mbështetjen e Bankës së Zhvillimit dhe të Bankës së Shqipërisë, që ka vënë në dispozicion një kredi inovative dhe patjetër me mbështetje e AZHBR-së dhe të BE, do të kemi mundësinë që t’i vëmë në dispozicion fermës shqiptare një fakt që për askënd nuk do të jetë çështje lekësh dhe fondesh, për gjithkënd do të jetë një çështje të projekteve të duhura.
Çdo projekt që do të jetë i duhur dhe do të mbështetje me dije nga ana e aplikantit, nuk diskutohet që do të financohet në një mënyrë apo në një tjetër. Euro Agro Albania nuk është një faqe e re interneti, por është një instrument që të gjithë ju dhe të gjithë ata që janë në fermë dhe punojnë duan që të rrisnin prodhimin, cilësinë, eksportet, kapacitetet dhe fondet duhet që ta marrin ta përdorin dhe ta kthejnë në një nga instrumentet e punës së tyre.
Është një udhërrëfyes për të gjithë ju, është një burim informacioni për standarde, afate dhe detyrime konkrete. Është një kanal dialogu, ku çdo kush mund të hyjë aty, të pyesë dhe të marrë përgjigje. Është një mjet koordinimi që mes jush dhe nesh, mes AZHBR-së ka një ndërveprim të vazhdueshëm. Është një derë e re e hapur për të gjithë ju. Është një derë që ka ekzistuar gjithmonë, që ka një qasje dhe një frymë të re për dispozicionin tuaj”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi rëndësinë e përgatitjes për ndryshimet që sjell anëtarësimi në BE, duke paralajmëruar se prodhimet që nuk përmbushin standardet nuk do të pranohen më në tregun europian. Po ashtu, ai prezantoi edhe disa nga ndryshimet konkrete që qeveria po implementon, mes të cilave, finalizimi i regjistrave kombëtarë të fermave dhe kafshëve.
“Çfarë do të bëjmë ne konkretisht? Sepse janë dy anë të të njëjtës medalje. Ne do të bëjmë sistemin e integruar të administrimit të kontrollit, do të finalizojmë regjistrat kombëtarë të fermave, parcelave dhe të kafshëve. Është një punë e nisur dhe do ta finalizojmë. Do të ndërtojmë deri në fund laboratorët e akredituar nga BE.
Sot kemi një nivel krejt tjetër të analizës me Institutin, etj, por duhet të përfundojë gjithë projekti i laboratorëve dhe do të shtyjmë shumë fort, në projektin e shërbimeve këshillimore në terren dhe do mbështetemi tek Universiteti Bujqësor i Tiranës. Ku besojmë se vit pas viti do kemi gjithmonë e më shumë aftësi, për të na udhëhequr, neve si sektor publik dhe juve si sektor privat“, tha Rama.
Këshilla sipërmarrësve të sektorit bujqësor: Do ishte fatkeqësi…
Kryeministri Rama i këshilloi fermerët dhe sipërmarrësit e sektorit të mos neglizhojnë investimin në dijen dhe aftësitë e stafit të tyre.
“Nuk është diçka që duhet thënë se kështu e do muhabeti, por është diçka që del si mësim nga ajo çfarë kanë bërë të tjerët më parë. Mos lini pa investuar tek mendja e kompanisë, mos lini pa investuar tek fuqia njerëzore e kompanisë, mos lini ditë të kalojë pa trajnuar fuqinë njerëzore, pa sjellë diçka të re, sado të vogël në aspektin e të mësuarit, sepse dija është ajo që kur ka munguar, ka sjellë falimentim të menjëhershëm në momentin e hapjes së dyerve të BE-së. Thjesht dhe vetëm të vendoset dryni dhe nuk t’i pranon më njeri ato që prodhon, sepse nuk je më si sot. Sot je një fermer eksportues, që eksporton jashtë BE-së. Nesër do të prodhosh për BE-në, njëlloj si nga Lushnja për Tiranën. Nëse je ti problem për sigurinë ushqimore në Lushnjë, t’i bllokohesh në Lushnjë dhe mbaron. Do ishte fatkeqësi të vijë dita që Shqipëria të jetë anëtare në BE dhe qoftë një sipërmarrës i vetëm të thotë, nuk e dinim që do përballeshim me këto kushte të reja, nuk u përgatitëm për këto kushte të reja, apo nuk u informuam. Detyra jonë është t’ju informojmë. Detyra juaj është të informoheni. Detyra e përbashkët, që këtë ta shfrytëzojmë për të rritur kapacitetet që reciprokisht t’i vëmë në dispozicion të këtij sektori kaq jetik dhe kaq të rëndësishëm“, tha kryeministri.
Rama e përfundoi fjalën e tij duke uruar një vit të ri të mbarë dhe të suksesshëm për fermerët, familjet e tyre dhe punonjësit e sipërmarrjeve bujqësore.