Shtohet numri i individëve që punojnë në “të zezë”

13 Korrik 2024, 12:35Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka vijuar me kontrollet për respektimin e standardeve të punës sipas legjislacionit në fuqi nga bizneset në gjashtëmujorin e parë 2024.

Në periudhën janar-qershor janë inspektuar gjithsej 4948 subjekte mbi bazë risku, ndërsa 303 inspektime të tjera janë kryer për shkak të ankesave nga punonjësit apo persona të tretë, 33% më shumë krahasuar me 2023. Nga 303 inspektime të kryera si rezultat i ankesave, rreth 74% e ankesave janë zgjidhur në favor të punëmarrësve. Ndërkaq, 8381 biznese të reja janë këshilluar për të drejtat dhe detyrimet nga Legjislacioni i Punës.

Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka marrë një sërë vendimesh për pezullimin e aktivitetit të 560 bizneseve. Gjithashtu, janë dhënë 847 paralajmërime dhe janë vendosur 90 gjoba për subjektet e inspektuara.

Në gjysmën e parë të vitit 2024, ka pasur një numër më të vogël punonjësish të aksidentuar në punë. Referuar të dhënave nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, këtë vit janë regjistruar 7% më pak aksidente në punë krahasuar me vitin 2023.

Nga ana tjetër ka pasur edhe një rritje të lartë të informalitetit, ku në 6 muajt e parë të 2024-ës janë identifikuar 38% më shumë persona që punonin në të zezë se në vitin 2023. Pas deklarimit të pagës së tyre, çdo muaj janë shtuar 10,8 milion lekë të ardhura në buxhet.

 

 

Video