
Shpenzimet për të shlyer faturat gjyqësore për pushime të padrejta nga puna i kushtoi shqiptarëve 1.4 miliardë lekë apo rreth 13.8 milionë euro vetëm vitin e shkuar. Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e dëmit, gati 78 për qind e totalit u shkaktua nga institucionet e pushtetit qendror.
Historia politike dhe e punësimeve ka treguar se pas fushatës zgjedhore e në varësi të rezultateve shkarkimet e padrejta nga puna shtohen. Rotacioni politik pas zgjedhjeve të vitit 2013 i kushtoi shqiptarëve 3.38 miliardë lekë për shkarkimet e padrejta nga puna. Kosto për taksapaguesit kanë sjellë edhe vitet 2015, 2017 apo 2021.
Në total në 9 vite, nga arka e shtetit kanë dalë 15.4 miliardë lekë apo rreth 152 milionë euro për largimet dhe emërimet politike.
Për të dekurajuar vendimet joligjore të shkarkimit nga puna ka pasur disa propozime për të veshur me përgjegjësi titullarët e institucioneve. Të gjitha nismat deri më tani kanë mbetur pa u konkretizuar, pavarësisht edhe presionit nga Bashkimi Europian në kuadër të negociatave të integrimit.