Rritja e turizmi nuk nxit prodhimin vendas. Importet që lidhen me industrinë mbeten të parat

23 Prill 2024, 11:22Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rritja e sektorit të turizmit, në një tjetër rekord të ri këtë vit, po nxit importe të larta në artikuj që lidhen me industrinë.

Në tremujorin e parë të vitit, industria e turizmit është në kulmin e përgatitjeve për sezonin e verës. Zakonisht në këtë periudhë kryhen blerjet për furnizimet e strukturave hoteliere, të cilat po shënojnë rritje nga viti në vit.

Të dhënat mbi tregtinë e jashtme në tremujorin e parë të këtij viti tregojnë se importet e çadrave të diellit në sasi u rritën me 61% në janar-mars 2024 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Zhvillimi i turizmit po nxit edhe shërbimet e lundrimit me varka dhe anije të vogla, të cilat po bëhen të zakonshme në turizmin detar dhe liqenor. Të dhënat tregojnë se sasitë e importeve të varkave dhe mjeteve të lundrimit shënuan rritje me 79% në tremujorin e parë të vitit.

Gjithashtu importet e produkteve prej kashte shënuan rritje me mbi 45%. Rritje me mbi 15% pati edhe grupi “Mobileri, krevate, dyshekë, llampa etj”.

Të dhënat nga tregtia e jashtme tregojnë se, zhvillimi i turizmit është duke nxitur rritjen e importeve në produkte kryesore të konsumit në vend dhe sidomos tek ushqimet.

Në tremujorin e parë të vitit, importet e grupit të ushqimeve shënuan rritje me 22%, dhe në disa grupe si zarzavatet dhe frutat rritja ishte mbi 60%.

Ekspertët e sektorit analizojnë se, pjesa dërrmuese fitimeve të sektorit të turizmit ikën sërish jashtë vendit për importet e lëndës së parë që i duhen hoteleve dhe restoranteve. Nëse turizmi nuk lidhet me sektorë të tjerë të ekonomisë dhe sidomos me prodhimin, do të mungojnë përftimet me bazë të gjerë.

Të dhënat tregojnë se paralelisht me rritjen e turizmit ka një dobësim të fortë të sektorit prodhues. Rritja e prurjeve valutore e ka dobësuar ndjeshëm euron vitet e fundit, duke iu ulur fitimet e eksporteve vit pas viti.

Eksportet e mallrave në vlerë pësuan rënie me 21% në tremujorin e parë të vitit, teksa linja të vogla dhe mesme të prodhimit janë futur në një proces falimenti masiv.

Zhvendosja e menjëhershme e ekonomisë nga prodhimi te shërbimet vlerësohet me kosto nga ekspertët pasi po rrënohet një përpjekje prej dy dekadash e produktit “Made in Albania”.

Ekspertët sugjerojnë se prodhuesit duhet të përshtaten me kërkesat e turizmit, por të dhënat tregojnë se sektorët gjejnë vështirësi që lidhen me njëri-tjetrin. P.sh., në vitin 2022 teksa u pa një rritje fortë e njësive të akomodimit, kishte një rënie të fortë të bizneseve të mobilieve.

Video