
Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë , vlera totale e huave për sektorin e "Korporatave jofinanciare private" gjatë muajit shtator të këtij viti regjistrohet në 19.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 16.6%. Ky sektor zë peshën më të madhe të kreditimit në ekonomi.
“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar se cili aktivitet i ekonomisë mori më shumë hua krahasuar me vitin e kaluar. Sektori i "Industrisë nxjerrëse" ka përjetuar rritjen më të lartë vjetore me 768.8%, duke kaluar nga 64 milionë lekë në shtator 2023 në 556 milionë lekë në shtator 2024. Ky ndryshim tregon një interes të shtuar të këtij sektori për tju drejtuar institucioneve bankare për kredi.
Po ashtu, sektori i "Informacionit dhe komunikacionit" në muajin e nënëtë të këtij viti ka marrë 956 milionë lekë hua ose 1095% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të njëjtën linjë ka ndjekur edhe sektori i "Akomodimit dhe shërbimit ushqimor" kreditimi i të cilit paraqitet me 200.4% rritje vjetore.
Në të kundërt, sektorë si "Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi" dhe "Aktivitete të pasurive të paluajtshme" kanë pësuar rënie të konsiderueshme, përkatësisht me 25.7% dhe 58.4%. Këto ndryshime mund të jenë tregues të uljes së investimeve në këto fusha.
Aktivitetet që kanë përjetuar rënie të kreditimit përfshijnë gjithashtu sektorët si "Shëndetësia” dhe “Energjia elektrike, furnizimi me gaz, avull” etj që kanë pësuar ulje të kreditimit me 5.4% dhe 10.7% respektivisht
Sa peshë zë secili sektor në kreditimin total?
Sipas shifrave, "Tregtia me shumicë dhe pakicë" zë 31.8% të totalit, më pas ndjek Ndërtimi dhe Transporti me 16.4% dhe 10.8% të kreditimit gjithsej. Ndërsa arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme zënë një peshë të papërfillshme.