QKB nuk duhet të publikojë të dhënat e bizneseve. Të gjitha rastet kur transparenca bie ndesh me ligjin

25 Maj 2024, 13:21Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një pjesë e të dhënave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit për subjektet bien në kundërshtim me ligjin.  Pas një hetimit të ndërmarrë në këtë institucion, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka dalë në konkluzionin se ligji në fuqi për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për regjistrimin e biznesit, e detyron këtë institucion që të kryejë publikimin e të dhënave të regjistruara.

Sipas Zyrës së Komisionerit, nga verifikimet në vend, rezulton se, vizitorët e faqes zyrtare qkb.gov.al, mund të kërkojnë dhe shkarkojnë dokumente/informacione nga të tre regjistrat, nëpërmjet rubrikës “kërko”. “Konkretisht, në rubrikën “kërko për subjekt”, të faqes online zyrtare, publikohen ekstrakte me të dhëna të subjekteve tregtare, të tilla si: “nipti”, “aksioneri”, “emri i subjektit”, “emri tregtar”, “adresa” dhe “numri i identifikimit” , etj, theksohet në raportin e rekomandimit për QKB.

Referuar këtij dokumenti, “konstatohet se, publikimi i disa kategorive të të dhënave, të përfshira në kontratat me të tretë, informacione lidhur me identifikimin fizik apo identitetin e subjekteve të të dhënave, adresat e individëve të caktuar, si dhe të dhënat e llogarive bankare të subjekteve të treta, kryhen në kundërshtim me parimet dhe kriteret e neneve 5 dhe 6 të Ligjit. Konkretisht në nenin 5 parashikohet se mbrojtja e të dhënave personale bazohet “…në grumbullimin për qëllime specifike, të përcaktuara qartë, e legjitime dhe në përpunimin në përputhje me këto qëllime”. Ndërsa sipas nenit 6 të Ligjit, të dhënat personale përpunohen vetëm nëse plotësohet një prej kritereve të përpunimit: nëse subjekti i të dhënave personale ka dhënë pëlqimin; për përmbushjen e një detyrimi ligjor të kontrolluesi.

Në zbatim të detyrimeve që parashikon Ligji, Zyra e Komisionerit vlerëson se, QKB, në cilësinë e Kontrolluesit për të dhënat e grumbulluara gjatë proceseve përpunuese, duhet të marrë masa organizative dhe teknike të përshtatshme për të publikuar vetëm të dhënat që janë të nevojshme për të realizuar qëllimin e përpunimit, në zbatim të parimeve dhe kritereve të Ligjit, si dhe në përputhje me kërkesat e legjislacionit specifik.

Video