Përshpejtohen dëmshpërblimet për ish të përndjekurit, tri bashki të tjera përfshihen në Paketën e Maleve

6 Maj 2026, 19:40Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministrat Petrit Malaj dhe Ervin Demo

Këshilli i Ministrave zhvilloi këtë të mërkurë mbledhjen e radhës, ku u miratuan disa vendime me rëndësi në fusha të ndryshme, duke përfshirë dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe zhvillimin e zonave rurale.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se qeveria ka miratuar ndryshime në vendimin përkatës që lidhet me dëmshpërblimet, duke synuar përshpejtimin e procesit të pagesave dhe rritjen e eficiencës së tyre.

Sipas tij, ndryshimet parashikojnë që pagesat deri në 1 milion lekë të likuidohen brenda këstit të radhës, ndërsa brenda 4-5 viteve të ardhshme pritet të përfundojë pagesa për rreth 6 mijë dosje.

Ndërkohë, është parashikuar edhe rritje e fondit vjetor, aktualisht rreth 1.5 miliardë lekë.

“Në mbledhjen e sotme të qeverisë miratuam një ndryshim në VKM-në 419 që lidhet me dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave e dëmshpërblimit të kësteve, të tetë kësteve të barabarta, nga ana tjetër kemi marrë vendimin që për gjithë ato pagesa të cilat janë në vlerë deri në 1 milionë lekë të likuidohen brenda këstit të radhës. Me këto ndryshime brenda një afati 4-5 vjeçar, parashikohet të paguhen plotësisht rreth 6 mijë dosje nga 10 mijë e 360 që janë në total, në proces pagese.

Ky ndryshim parashikohet të shoqërohet me një sërë efektesh pozitive: Përshpejtim të ndjeshëm në kohë të procesit, ku intervali mes kësteve reduktohet në rreth 2–2.5 vite nga 3.5–4 vite aktualisht. Rritje të fondit vjetor për dëmshpërblime. Aktualisht ky fond është rreth 1.5 miliardë lekë. Ky vendim synon jo vetëm rritjen e eficiencës së pagesave, por mbi të gjitha përmbushjen e një detyrimi moral ndaj familjeve të të gjithë personave që kanë vuajtur në mënyrë të padrejtë nga regjimi i kaluar”, tha ministri Malaj.

Nga ana tjetër, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, njoftoi miratimin e tre bashkive të reja në kuadër të paketës së maleve, konkretisht Delvinë, Konispol dhe Pogradec.

Ai theksoi se procesi i aplikimeve nga qytetarët ka avancuar në shumicën e bashkive dhe se kjo nismë synon të nxisë zhvillimin lokal dhe rural në zonat prioritare.

“Sot sapo kemi miratuar tre bashki të reja sa i takon paketës së maleve. Propozimet e ardhura në zonat prioritare janë miratuar për bashkinë Delvinë, Konispol dhe Pogradec. Tashmë numri i bashkive ka kaluar pothuajse 2/3 dhe normalisht në pjesën më të madhe të bashkive ka avancuar faza e aplikimit nga ana e qytetarëve. Sa i përket paketës së maleve në kontekstin e zonave prioritare dhe mbi të gjitha dhe në kontekstin e zhvillimit lokal rural”, tha ministri Demo.


Video