Papunësia mbetet problem, a po funksionojnë programet për integrimin e individëve në tregun e punës?

18 Qershor 2024, 12:50Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Forcimi i efikasitetit të Skemës së Politikës së Punësimit është një ndër reformat që pritet të ndërmerret në kuadër të Agjendës Kombëtare të Reformave 2024-2027. Papunësia vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues në Shqipëri, ndaj politikat për zbutjen e këtij fenomeni qëndrojnë në qendër të agjendës së reformave.

Reforma synon ofrimin e programeve të reja dhe më të larmishme të tregut të punës, për trajtimin e atyre punëkërkuesve që përfitojnë ndihmë ekonomike, punëkërkuesit e papunë afatgjatë, si dhe punëkërkuesit e papunë afatgjatë me arsim bazë ose pa arsim paraprak.

Deri në qershor të vitit 2026, pritet që të rritet me 8% numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në Programet Aktive të Tregut të Punës (PATP), si dhe njëkohësisht do të ketë një rritje të regjistrimit të punëkërkuesve në zyrat e punësimit në 60% të totalit të të papunëve.

Gjthashtu, parashikohet rritja e punëkërkuesve të papunë në Formimin Profesional në 20% të totalit të punëkërkuesve të papunë. Brenda 3 vitesh, pritet që të shkojë në 5000 numri i punëkërkuesve të papunë që punësohen përmes Programeve të Promovimit të Punësimit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

Bazuar në të dhënat e INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri rezultoi 10,7% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Nëse e krahasojmë me tremujorin e tretë të vitit 2023, papunësia është rritur me 0,2 pikë përqindje.

Nga ana tjetër, niveli i papunësisë për të rinjtë nga 15-29 vjeç është 22%. Llogaritur me periudhën e fundit të vitit 2022, papunësia te të rinjtë është rritur me 0,6 pikë përqindje. Ndërkohë që shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7,9 %.

 

Video