
Venezuela është vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë, por për shkak të sanksioneve amerikane, shitja e këtij produkti prej saj është e kufizuar në një grusht vendesh.
E për të zbutur krizën e furnizimit me karburante pas luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, SHBA po mendon që të lehtësojë sanksionet ndaj Venezuelës.
Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që Venezuela të përmbushë të paktën një pjesë të eksporteve të naftës në Shtetet e Bashkuara si pjesë e çdo marrëveshjeje për të lehtësuar sanksionet e tregtimit të naftës ndaj vendit anëtar të OPEC-ut.
Diplomatët amerikanë kanë punuar për të gjetur furnizime me energji në mbarë botën që mund të ndihmojnë në kompensimin e ndërprerjes në eksportet e naftës dhe gazit rus të shkaktuar nga sanksionet dhe lufta. Zyrtarët amerikanë takuan presidentin venezuelian Nicolas Maduro në Karakas për bisedimet e para dypalëshe.
Venezuela ka qenë nën sanksionet e SHBA-së për naftën që nga viti 2019 dhe mund të ndryshojë zinxhirin e furnizimit me naftë të papërpunuar nëse ato kufizime hiqen.
Zyrtarët amerikanë e bënë të qartë se prioriteti i tyre ishte sigurimi i furnizimeve për Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët u thanë homologëve të tyre venezuelianë se çdo lehtësim i sanksioneve të SHBA-së do të kushtëzohej nga dërgimi i naftës nga Venezuela direkt në Shtetet e Bashkuara.
Chevron Corp (CVX.N), prodhuesi i fundit i naftës amerikane që ende operon në Venezuelë, mund të jetë përfituesi i parë nëse arrihet një marrëveshje me administratën e Maduros. Chevron i është ndaluar të dërgojë naftë venezueliane nga sipërmarrjet e saj të përbashkëta që nga viti 2020.