Konflikti i hapur mes aksionerëve të Vlora International Airport, biznesmenëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, i cili prej muajsh po zhvillohet në dyert e gjykatave me vendime të njëpasnjëshme dhe është shfaqur gjerësisht edhe në media, duket se tashmë po prodhon pasoja edhe në hapësirën informative në rrjetet sociale, duke krijuar konfuzion për publikun dhe tregun.
Së fundmi, një faqe në Facebook që pretendon se përfaqëson Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ka publikuar një njoftim ku thuhet se kompania ajrore zvicerane Chair Airline do të jetë transportuesi i parë që do të operojë nga ky aeroport, me fluturime direkte Zyrih–Vlorë duke nisur nga 26 qershori 2026, dy herë në javë deri më 23 tetor 2026. Njoftimi shoqërohet me deklarata zyrtare, citime të drejtuesve ekzekutivë të aeroportit dhe thirrje për rezervimin e biletave, duke lënë të kuptohet se gjithçka është e konfirmuar dhe në fazë zbatimi.

Megjithatë, një hulumtim i kryer nga Ekofin.al në rrjetet sociale tregon se ekzistojnë më shumë se një faqe që pretendojnë statusin e “faqes zyrtare” të Aeroportit të Vlorës, me përmbajtje, tone dhe njoftime që nuk përputhen mes tyre. Kjo situatë ngre dyshime serioze mbi autenticitetin e informacionit të shpërndarë dhe mbi autoritetin real që qëndron pas këtyre komunikimeve publike.

Dyshimet thellohen edhe më tej kur vëmendja zhvendoset te vetë kompania ajrore e përmendur në njoftim. Referuar komunikimeve dhe materialeve zyrtare të Chair Airline, destinacioni “Vlorë” nuk figuron aktualisht në listën e destinacioneve të shpallura apo të promovuara për sezonin veror 2026. Mungesa e çdo reference zyrtare nga vetë kompania ajrore për këtë linjë e bën njoftimin e publikuar në rrjetet sociale edhe më kontradiktor./ekofin.al