KE i jep dritën jeshile Bullgarisë për t‘i bashkuar eurozonës: Do të përdorë monedhën euro

4 Qershor 2025, 16:13Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
KE i jep dritën jeshile, Bullgaria do të përdorë monedhën euro

Bullgaria do të bëhet shteti i 21-të që i bashkohet eurozonës, me planin për të adoptuar zyrtarisht euron në fillim të vitit 2026. Vendi ka kaluar një sërë kriteresh ekonomike dhe ka marrë miratimin nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Komisioni Evropian (KE).

“Raporti i sotëm është një moment historik për Bullgarinë, eurozonën dhe vetë Bashkimin Evropian,” u shpreh Komisioneri Evropian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis.

“Dua ta përgëzoj Bullgarinë për përkushtimin e jashtëzakonshëm që ka treguar për të bërë rregullimet e nevojshme”, tha anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Philip Lane.

Që nga anëtarësimi në BE në vitin 2007, Bullgaria ka synuar zëvendësimin e monedhës së saj kombëtare, levës, me euron. Megjithatë, inflacioni i lartë dhe paqëndrueshmëria politike kanë penguar procesin ndër vite.

Vitin e kaluar, për shkak të rritjes së çmimeve pas krizës energjetike që pasoi pushtimin rus të Ukrainës, hyrja në eurozonë u shty.

KE-ja dhe BQE-ja deklaruan se Bullgaria tani i përmbush të gjitha kriteret ekonomike për pranimin në eurozonë, përfshirë kontrollin e inflacionit, nivelin e borxhit publik, normat e interesit dhe stabilitetin e kursit të këmbimit.

Tashmë pritet vetëm miratimi përfundimtar nga ministrat e Financave të eurozonës, me vendimin që pritet të merret më 8 korrik.

Megjithatë, nuk kanë munguar tensionet politike brenda vendit.

Fushatat dezinformuese, si brenda vendit ashtu edhe nga jashtë, kanë nxitur frikë te disa grupe shoqërore, duke përhapur narrativa se adoptimi i euros do të thellojë varfërinë dhe do të nxisë inflacionin.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, propozoi këtë muaj mbajtjen e një referendumi për të kundërshtuar adoptimin e euros, duke nxitur zërat euroskeptikë. Propozimi u rrëzua nga shumica pro-evropiane në parlament, e cila e akuzoi Radev-in se po vepron në favor të Moskës.

Përgjatë historisë së zgjerimit të eurozonës, vendet që kanë adoptuar euron kanë përjetuar rritje të përkohshme të inflacionit. Megjithatë ato kanë përfituar nga ulja e kostove të huamarrjes, rritja e investimeve të huaja dhe lehtësimi i tregtisë ndërkufitare.

Kroacia ishte vendi i fundit që iu bashkua eurozonës në vitin 2023. Me pranimin e Bullgarisë, eurozona do të zgjerojë më tej ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore.

Video