
Euro e ka mbyllur javën me një rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me lekun. Euro që vijoi tendencën zhvlerësuese duke “tërhequr me vete” edhe valutat e tjera, nga dollari, te paundi britanik e te franga zvicerane. Ajo humbi vetëm gjatë të premtes 0.75 pikë në raport me monedhën tonë, duke e mbyllur javën me kursin mesatar të këmbimit 101.17 lekë.
Ishte mesatarja e çmimit në blerja ajo që pësoi edhe rënien më të madhe, duke konfirmuar përsëri volumet shumë të larta të euros në qarkullim në tregun financiar shqiptar. Çmimi mesatar me të cilin e blenë pikat e këmbimit, si dhe sportelet e bankave, ra në 100.63 lekë, duke humbur plot 0.81pikë nga një ditë më parë.
Të njëjtin fat patën këtë javë edhe valutat e tjera, për shkak se në tregun financiar shqiptar ato kuotohen duke marrë referencë monedhën e përbashkët evropiane. Të premten dollari ameikan ra në vlerën 92.89 duke humbur 0.43 pikë në një ditë të vetme. Po ashtu edhe paundi britanik, i cili humbi edhe më shumë se dollari, plot -0.56 pikë, duke rënë në nivelin 117.42 lekë. Zhvleftësim të ngjashëm pësuan edhe franga zvicerane bashkë me jenin japonez.
Pikat e këmbimit valutor e argumentonjë nënçmimin e monedhës evropiane me sasitë e larta të saj në treg, për shkak të festave të nëntorit. Megjithatë, ata thonë se tendenca në rënie e euros zor se do të ndëpritet me kalimin e efektit të festave, duke paralajmëruar mbiçmimim të mëtejshëm të lekut, veçanërisht me afrimin e festave të fund vitit.