Kompania “Erzeni” ka fituar çmimin prestigjioz “Gold” për djathin shqiptar “Amantera” në një konkurrencë të ashpër me 4,235 produkte të tjera nga e gjithë bota. Ky çmim ndërkombëtar është një njohje e madhe për cilësinë dhe veçantinë e produktit, i cili është i prodhuar 100% në Shqipëri, duke theksuar vlerat autoktone të traditës shqiptare.
Erzen Begaj, sipërmarrës dhe CEO i kompanisë “Erzeni”, shprehu gëzimin e tij gjatë një interviste në Euronews Albania, duke e përshkruar momentin e marrjes së çmimit të artë si një ndjesi të jashtëzakonshme.
Ai theksoi se ky çmim është një vlerësim i punës së palodhur dhe pasionit për të ofruar produkte të cilësisë së lartë, duke nxjerrë në pah identitetin dhe traditën shqiptare në nivel global.
“Ndjesi e jashtëzakonshme kur më njoftuan se kishim fituar çmimin e artë për djathin tonë. E kemi ngritur si brand tonin.
Amantera është një produkt autokton shqiptar. “Made in Albania”. Ndihej shija dhe aroma e luleve të majit, na lindi ideja të prodhojmë një produkt tonin, që prodhohet vetëm me qumështin e zonës së Amantias, me lulet e majit".