Dalin nga dera, hyjnë nga dritarja - “Strategjikët”, Balla i rikthen te ligji për turizmin

22 Korrik 2026, 18:24Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një propozim i kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla rikthen ligjin e kontestuar për investimet strategjike, këtë herë të maskuar në një nen të ndryshimeve në ligjin për turizmin.

Balla propozon që në nenin 1 të projektligjit që ministri i Turizmit mund të propozojë dhe Këshilli i Ministrave të vendosë ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të një zone te konsideruar me përparësi në zhvillimin e turizmit për realizimin e projekteve, ose investimeve me interes publik, ose siç thuhet në draft, me rëndësi kombëtare që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas këtij formulimi, territore që mund të jenë nën administrimin e bashkive mund të kalojnë nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.

Ligji aktual për investimet strategjike bën të njëjtën gjë, me dallimin e vetëm se në vend të Këshillit të Ministrave administrimi i pronave që identifikohen me potencial zhvillimi turistik kalon te Korporata e Investimeve dhe vendimet për zhvillimin e projekteve në këto zona jepen nga Këshilli Kombëtar i Territorit, drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Ligji për investimet strategjike u miratuar në vitin 2015 me statusin e një ligji të përkohshëm deri në hartimin e një drafti të ri.

Por, afati i tij është zgjatur tre herë dhe sipas amendimit të fundit skadon më 31 dhjetor të këtij viti.

Shfuqizimin e tij e ka kërkuar edhe Bashkimi Europian në kuadër të negociatave të anëtarësimit, duke vlerësuar se ligji krijon pabarazi dhe shmang garën në projekte dhe tendera për zhvillimin e zonave të caktuara të vendit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Dalin nga dera, hyjnë nga dritarja - “Strategjikët”, Balla


Video