Për vitin 2025, qeveria shqiptare ka parashikuar një buxhet prej 8.2 miliardë eurosh, i cili synon të përmbushë prioritetet kombëtare në fusha të ndryshme. Por, si do të alokohen këto fonde për ministritë e vendit?
Në analizën e ndarjes së buxhetit sipas ministrive, vihet re se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përfituar fondin më të madh, duke marrë 74.03 miliardë lekë, ose 23.2% të totalit të buxhetit të dedikuar për ministritë.
Një tjetër sektor që ka marrë vëmendje të konsiderueshme është arsimi. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të ketë në dispozicion 62.02 miliardë lekë ose 19.4% të buxhetit. Me rritjen e këtij fondi, synohet që të përmirësohen kushtet e shkollave, të sigurohen mundësi për zhvillimin e sportit dhe të mbështetet rinia me programe që nxisin talentet e tyre.
Në vend të tretë është Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila ka marrë 56.06 miliardë lekë, e ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes me 52.68 miliardë lekë.
Në nivel më të ulët, Ministria e Brendshme përfiton 9.7% të buxhetit të përgjithshëm për ministritë, ndërsa Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të marrë 4.6%, duke mbështetur përmirësimet në sektorin agrikulturor dhe zhvillimin e zonave rurale. Nga ana tjetër, Ministria e Financave do të financohet me 11.06 miliardë lekë, ndërsa Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme përfiton 3.8 miliardë lekë, për të mbështetur diplomacinë dhe lidhjet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Përkundër rritjes së fondeve për të gjitha ministritë, Ministria e Drejtësisë është e vetmja që ka patur një shkurtim fondesh krahasuar me vitin e kaluar. Konkretisht, në projektbuxhetin e vitit 2025, kjo ministri pritet të ketë në dispozion 14.32 miliardë lekë ose 3.1% më pak se në vitin 2024. Po sipas zërave, cfarë ndikoi më shumë në uljen e këtij fondi? Cila kategori u prek më shumë? Krahasuar me një vit më parë vitin e kaluar tregon se uljet më të mëdha janë regjistruar në këto kategori: Mjekësia ligjore ulje prej 59.1%, Shërbimi i kthimit dhe kompensimit të pronave ulje prej 45.2% dhe Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi ulje prej 6.1%.