Nëse në planin politik e diplomatik, lufta ka afruar Shqipërinë me Ukrainën më shumë se kurrë, në rrafshin ekonomik marrëdhëniet mbeten modeste.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT në Shqipëri dhe agjencia ukrainase e statistikave tregojnë se para shpërthimit të luftës, vlera e volumit tregtar mes dy vendeve ishte në rreth 40 milionë dollarë. Pas shpërthimit të luftës, vlera e tregtisë thuajse u dyfishua, por jo volumi i saj. Arsyeja e dyfishimit lidhej me shtrenjtimin e produkteve pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.
Të dhënat tregojnë që në të gjitha vitet, Shqipëria ka një bilanc negativ tregtie me Ukrainën. Nga Ukraina, Shqipëria importon metale, drithëra dhe vajëra me origjinë shtazore e bimore. Kjo ishte një prej alibive të ngritura nga tregtarët në 2022 për shtrenjtimin e çmimit të këtyre produkteve, megjithëse ekspertët ngritën dyshime abuzimi, pasi Ukraina nuk ishte dhe nuk është partneri kryesor i Shqipërisë për këto mallra.
Sa u takon eksporteve, të dhënat e vitit 2022 tregojnë se Shqipëria ka eksportuar në Ukrainë rreth 10 milionë dollarë mallra. Perimet janë zëri kryesor me mbi 40 për qind të eksporteve totale, ndjekur nga lëndët djegëse minerale dhe më pas këpucë e veshje.
***
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.