
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe Prokurorisë së Posaçme lidhur me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
E ftuar në studion e emisionit “Breaking” me Fiori Dardhën, Xhixho u ndal te fakti që, pavarësisht rëndimit të pozitës së Ballukut në hetim, sipas saj nuk është bërë ende një kërkesë e re për arrestimin ose një masë tjetër sigurie ndaj saj.
“Është në liri të plotë edhe pse janë rënduar 13 akuza”, deklaroi Xhixho, duke e cilësuar si të vonuar çdo kërkesë të re që mund të bëjë SPAK.
Sipas deputetes së Partisë së Lirisë, çështja e Ballukut tregon një standard të ndryshëm nga ai i ndjekur ndaj Ilir Metës.
“Ke një double standard”, tha Xhixho në studio, duke argumentuar se ndaj Metës është përdorur argumenti se mund të prishë provat apo të ndikojë te dëshmitarët, ndërsa, sipas saj, i njëjti standard nuk po zbatohet ndaj Ballukut.
Xhixho pretendoi se ish-zëvendëskryeministrja vazhdon të ketë ndikim në strukturat shtetërore dhe se kjo, sipas saj, ngre pikëpyetje për mënyrën se si po zhvillohet hetimi.
“Është ajo që drejton shumë nga ministritë, jo vetëm ministrinë e Infrastrukturës”, deklaroi deputetja, duke iu referuar pretendimit të saj për ndikimin e Ballukut në administratë.
Por akuzat e Xhixhos shkuan më tej. Ajo ngriti drejtpërdrejt pyetjen se përse kryeministri Edi Rama, sipas saj, po e mbron Ballukun.
“Lind pyetja pse e mbron Belinda Ballukun Edi Rama?”, u shpreh Xhixho në studio.
Deputetja e lidh këtë pretendim me hetimet për disa prej aferave të infrastrukturës dhe me procesin e integrimit europian. Sipas saj, mbrojtja politike ndaj Ballukut ka ndikuar edhe në raportet me procesin e integrimit.
“Është Edi Rama në të gjitha aferat e këtij vendi”, deklaroi Xhixho, duke e lidhur pretendimin e saj me përgjegjësinë politike të kryeministrit.
Xhixho përmendi në mënyrë të veçantë aferën e Tunelit të Llogarasë dhe atë të Unazës së Madhe, duke pretenduar se, ndërsa ndaj figurave të opozitës është ndërmarrë një qasje e ashpër, ndaj zyrtarëve të qeverisë po përdoret një standard tjetër.
“Pse e mbron në këtë situatë ku kemi procesin e integrimit europian?”, pyeti ajo, duke shtuar se sipas saj drejtësia duhet të hetojë edhe përgjegjësinë e kryeministrit për çështjet e ngritura.
Në deklaratën e saj, Xhixho pretendoi gjithashtu se Balluku, pavarësisht hetimit, vijon të ketë mundësi të ndikojë në administratë dhe në struktura të rëndësishme shtetërore. Ajo e konsideroi këtë një arsye shtesë pse, sipas saj, SPAK duhet të kishte vepruar më shpejt për një masë të re sigurie.