Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale duke vlerësuar qëndrimin publik të gjyqtarit të GJKKO, Florian Kalaja, lidhur me ndryshimet e fundit në Kodin Penal.
Në reagimin e tij, Manjani e konsideron korrekt dhe profesional qëndrimin kritik të gjyqtarit Kalaja, i cili ka ngritur shqetësimin për cenimin e parimit të proporcionalitetit në dënimin e personave me rol të vogël në organizatat kriminale, pas ndryshimeve të njohura ndryshe edhe si “kodi i parkimit dysh”.
Sipas Manjanit, Kalaja përfaqëson një zë të rrallë kritik brenda sistemit gjyqësor, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në debatin profesional mbi cilësinë e legjislacionit penal dhe respektimin e standardeve kushtetuese.
Ai thekson se qëndrimet publike të gjyqtarit nuk përmbajnë asnjë element politik dhe nuk lidhen me çështje konkrete në proces gjyqësor, por përbëjnë një kontribut të vlefshëm në formësimin e mendimit ligjor dhe në përmirësimin e drejtësisë penale në vend.
Postimi i Ylli Manjanit
Gjyqtari Florian Kalaja ka mbajtur një qëndrim publik disi kritik ndaj ndryshimeve më të fundit të Kodit Penal. (Kod të cilin publiku tashmë e njeh me llagëmin "kodi i parkimit dysh").
Në atë qëndrim publik gjyqtari Kalaja argumenton, jo pa të drejtë, humbjen e llogjikës së proporcionalitetit në dënimin e personave me rëndësi të pakët në organizatën kriminale.
Në fakt, parimi i proporcionalitetit në legjislacionin dhe drejtësinë penale, ku shërben edhe gjyqtari Kalaja, ka kohë që ka rënë në honet e pallogjikës dhe të padrejtësisë.Për hir të së vërtetës gjyqtari Florian Kalaja është një zë i fortë, ndonëse i vetëm brenda gjyqsorit, që reagon për këtë pallogjikë e cila prodhon padrejtësi penale çdo ditë në sallat e gjyqeve.
Qëndrimi publik më i fundit i Tij për ndryshimet e Kodit Penal është korrekt. Personalisht nuk i heq asnjë pikë e asnjë presje. Fjalë jo e jo. Nuk ka asgjë politike në atë shkrim, si dhe në çdo shkrim e qëndrim publik të Tij.Gjyqtari Kalaja është një kontribues i jashtëzakonshëm i mendimit kritik ligjor në hapësirën profesionale dhe publike. Ai ka shkruar disa monografi nën temën "Dilema Kushtetuese" për çështje të ndryshme të jurisprudencës penale.
Ka shkruar artikuj pa fund dhe, sot për sot, është gjyqtari që ka ngritur më shumë se askush tjetër, çështje të ligjit për gjykim kushtetues për para Gjykatës Kushtetuese. Kërkesat e panumërta për kontroll incidental të kushtetues të gjytarit Kalaja i gjeni në memorien e Gjykatës Kushtetuese.
I gjithë aktiviteti i dokumentuar profesional dhe publik i gjyqtarit Florian Kalaja është një aset i çmuar i jurisprudencës. Në sasi, qëndrimet profesionale e publike të Tij, janë ndoshta më të mëdha se gjithë monografitë e shkruara nga juristët tanë në vite.
Gjyqtari shkruan, shfleton, mendon dhe i prezanton mendimet e Tij në Publik.
Ai nuk po komenton çështjet që ka në proçes. As nuk kompromenton veten me qëndrime paragjykuese për çështje që mund të ketë në vijim.Ai ka zgjedhur të ndajë mendimet e tij në mjedisin e profesionistëve të ligjit dhe në publikun e gjerë. Përse jo?! Në fund të fundit jurisprudenca është pjesë e jetës publike.
Asnjë gjykatës tjetër si Ai, nuk e ka zhvilluar këtë përgjegjësi qytetare dhe profesionale.
Mund të mos biem dakord me të, por në asnjë rast nuk mund të kemi të drejtë ti mbyllim gojën një profesionisti që paraqesë në publik një mendim apo qoftë edhe një kritikë për cilësinë e një ligji.Florian Kalaja duhet respektuar për këtë qasje që ka dhe ska përse të kërkohet ndalimi i mendimit të tij.
Ca më keq akoma kur ky ndalim kërkohet të "justifikohet" me argumenta të dobëta të tipit, "ai ka vëlla Aulon Kalanë, kandidatin e PD për deputet".!!!
E ç'a pastaj?!Ç'muhabet është ky?! Pse po të kesh vëllanë që merret me politike duhet të mos kesh mendim e as ta shprehësh atë!?
Kjo është e papranueshme!
E përsëris, gjytari nuk po bën zëdhënie të vendimeve të Tij dhe, as po jep komente paragjykuese mbi çështje në gjykim.Asgjë politike nuk ka në qëndrimet e tij. Aq më pak, "sulme politike"....
Ai po jep një kontribut të çmuar në formësimin e mendimit ligjor për ligje të drejta dhe proporcionale. Këto janë përpjekje të lavdërueshme.Për fat të keq dëgjohen pak ose aspak këto mendime të Tij, por janë pa asnjë dyshim për t'u përshëndetur.
Ai duhet mbështetur që të vijojë ta bëjë këtë punë.