Testi i Katarit për Kupën e Botës

14 Nëntor 2022, 20:37Pikëpamje SHKRUAR NGA BLOOMBERG
Testi i Katarit për Kupën e Botës

Edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i Kampionatit Botëror të Futbollit. Kampionati i këtij viti do të jetë ndryshe nga çdo kampionat në historinë 92-vjeçare të turneut.

Së pari, është i pari Kampionat Botëror i Futbollit që do të zhvillohet në nëntor dhe dhjetor, në vend të në mes të vitit. Për më tepër, kjo është edhe ngjarja më e madhe sportive që do të zhvillohet në Lindjen e Mesme – Kupa e parë e Botës në rajon – në një vend konservator me shumicë myslimane. Për gjithë risitë, Kupa e Botës 2022 ka ngjallur shumë diskutime.

Që nga viti 2010, kur FIFA, organi qeverisës i futbollit, i dha Rusisë dhe Katarit të drejtat për të zhvilluar Kampionatet e Futbollit, janë përhapur akuza për blerjen e të drejtave.

Ka pasur shqetësime në lidhje me politikat e Katarit që kufizojnë të drejtat e grave dhe njerëzve të komunitetit LGBTQ, si dhe trajtimit të punëtorëve me jakë blu.

Kjo ka nxitur disa ndryshime. Bloomberg raporton se spektatorët mund të lejohen të organizojnë protesta paqësore, të promovojnë të drejtat LGBTQ dhe madje të puthen në publik. Doha, ndër të tjera, njoftoi reforma të reja në tregun e punës, edhe pse një grup për të drejtat e njeriut deklaroi se ligjet e reja nuk i pengojnë kompanitë e ndërtimit t’i shfrytëzojnë punëtorët, edhe në projektet e stadiumeve, që u janë nënshtruar një kontrolli të rreptë.

Shumë është shkruar edhe për konsumin e pijeve alkoolike në Katar, i cili e ndalon shitjen e tyre në thuajse të gjithë restorantet, të cilat nuk janë pjesë e hoteleve apo resorteve të nivelit të lartë. Birra do të jetë e disponushme brenda perimetrit të stadiumit, por jo në tribuna.

Është edhe çështja e akomodimit. Si do t’ia dalë Katari – një vend i vogël sa Konektikati, me popullsi 3 milionë banorë dhe me pak dhoma hoteli – të përballojë deri në 1.2 milionë vizitorë gjatë turneut që do të zgjasë një muaj?

Organizatorët kanë deklaruar se janë në rrugën e duhur për të garantuar 13 mijë dhoma për turneun, dhe më shumë se 17 mijë dhoma janë aktualisht të diponueshme. Kjo përfshin edhe strukturat e ndërtuara për këtë qëllim, tenda, struktura të stilit Airbnb dhe tre anije kroçerë me thuajse 5000 kabina.

Është e rëndësishme të theksohet se ky turne është cilësuar një fitore për rajonin dhe se shumë tifozë do të qëndrojnë në vendet aty pranë, si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite.

Fluturimet e ditës së ndeshjes do t’i transportojnë tifozët drejt dhe nga ndeshjet, duke përfituar nga linjat ajrore, hotelet dhe vendet e mikpritjes në të gjithë kombet.

Për shembull, në Dubai, pjesë e federatës së Emirateve të Bashkuara Arabe, qendrat e argëtimit po krijojnë “fan zone” në të gjithë qytetin. Zyrtarët thanë madje se më shumë njerëz do të vijnë përmes Dubait se Katari, për shkak të kapacitetit të kufizuar të këtij të fundit

Rreth 200 fluturime rajonale në ditë, së bashku me faktin që kombi i vogël ishullor ka ndërtuar pjesën më të madhe të infrastrukturave të nevojshme për të organizuar këtë ngjarje, kanë ngritur dyshime mbi premtimin e bërë nga organizatorët 12 vite me parë se turneu do të ishte me emetime zero. Startup parisienë Greeenly e ka cilësuar këtë Kupë Botë “më emetuesen e të gjitha kohërave”.

Megjithatë, parashikohet që eventi do t’i kalojë objektivat e të ardhurave dhe do t’i shtojnë miliarda dollarë ekonomisë së Katarit. Turneu do të nisë më 20 nëntor në Doha, ku vendi pritës do të luajë ndeshjen e parë përballë Ekuadorit.

Abeer Abu Omar / Bloomberg

Video