Pse u përgjysmua protesta e korrikut?

12 Nëntor 2022, 20:33Pikëpamje SHKRUAR NGA MERO BAZE
Pamje nga protesta e opozites

Debati për shifrat me mitingjet e Berishës është harxhim kohe, por duke parë sipërfaqet e rralluara të bulevardit, eshtë e qartë se protestuesit shkojnë deri tek dy kullat binjake dhe më pas, deri tek ura e Lanës, ke njerëz që bëjnë sehir. Është as më shumë as më pak, gjysma e protestës së korrikut.

Përtej kësaj, është protesta më jo entuziaste, më e pamotivuar dhe mbi të gjitha, e kontrolluar me regji qendrore për të krijuar imazh të rremë.

E gjitha ka vetëm një arsye, që lidhet me emrin e Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët të dy së bashku e zvogëlojnë më shumë opozitën.

E zvogëlojnë pasi konsolidojnë ndarjen e Partisë Demokratike. Ilir Meta është aty për të zëvendësuar ata që refuzojnë Berishën. Por ata që refuzojnë Berishën, krahasuar me ata që besojnë Metën, janë shumë herë më tepër. Ilir Meta nuk i kompenson dot. Përkundrazi i shton më shumë.

E zvogëlojnë, pasi protesta bëhet në kulmin e përçarjes së opozitës, ndërkohë që në korrik ishte nisur retorika e bashkimit, me të cilën Berisha kërkonte t’i vinte në gjumë, për t’i poshtëruar dhe sunduar.

E zvogëlojnë pasi prej korrikut e deri tani, Berisha është përballur me sanksione të reja ndërkombëtare, si ajo e Britanisë së Madhe dhe qëndrimin e vendosur të SHBA dhe BE për ta izoluar atë. Kushdo që do pushtetin e kupton që nuk ka më të ardhme me të.

E zvogëlojnë mbi të gjitha, pasi retorika e tyre për korrupsion, për antikomunizëm, dhe për oligarkë në këtë vend, shqiptarëve u kujton dy vetë, Sali Berishën dhe Ilir Metën, të dy komunistë, të dy oligarkë, të dy miliarderë.

Dhe protesta e sotme, provoi gjithçka. Provoi që Berisha e kishte thirr protestën për t’i treguar vendin SHBA duke e akuzuar nga tribuna e mitingut se e kishte shpallur “non grata” padrejtësisht. Më pas njësoj si Putini dje, protesta u përqendrua tek Sorosi dhe tek sulmi ndaj Perëndimit.

Dhe ajo që ishte qershia mbi torte, për lirinë e shtypit dhe vizionin e opozitës, ishte regjia qendrore e protestës. Ata që akuzojnë qeverinë për kaseta të gatshme, edhe protestën e sotme e kishin me regji të gatshme, duke mos lejuar median ta filmonte, përveç dronëve që nuk i ndalin dot.

Mjafton kjo për të kuptuar përse në protestë mungonin njerëzit, mungonte fryma, mungonte entuziazmi, dhe mbi të gjithë mungonte shpesa. Një protestë me regji, me pagesë dhe me autobusa, është shfaqje teatri por jo protestë. Protestat i shkaktojnë revoltat e popullit, jo hajdutët e revoltuar.

Dhe mesazhi kryesor i protestës ishte ai që tha Sali Berisha. Pa atë nuk do ketë kurrë stabilitet Shqipëria. Ishte e vetmja gjë e sinqertë e thënë në protestë. Është i vetmi premtim që ai mund të bënte. Por ai është thjeshtë një plak që nuk ngre dot brekët e veta, ndaj nuk ja ul dot pantallonat Shqipërisë (mund t’i ulë pak portofolin Zenit).

Video