Putin e pushtoi Ukrainën për shkak të një hatërmbetjeje 30-vjeçare

24 February 2022, 19:32Pikëpamje SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Putin e pushtoi Ukrainën për shkak të një hatërmbetjeje

Sulmi rus ndaj Ukrainës është fundi i një epoke dhe fundi i iluzionit që u krijua në nëntor 1989, kur ra Muri i Berlinit. Të gjithë besuan se ndarja e vjetër e botës në Lindje kundër Perëndimit ishte e shkuara edhe për shkak se konflikti ideologjik midis kapitalizmit dhe komunizmit ishte avulluar.

Por, për Vladimir Putinin, oficerin e dikurshëm të KGB-së dhe me shërbim në Gjermaninë Lindore, rënia e Bashkimit Sovjetik duket se është shndërruar në një pakënaqësi të hidhur personale, që ai jo vetëm nuk mund ta harronte me kalimin e viteve, por e ushqeu dhe e përforcoi. Fakti që Ukraina, dikur një pjesë kyçe e e Bashkimit Sovjetik, u shkëput nga Federata Ruse ishte një fyerje për gjithçka që Putini besonte.

Nuk kishte rëndësi që Rusia kishte nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare që pranonte kufijtë e shtetit të ri ukrainas. Në vitin 2014, Presidenti Putin gjeti një mënyrë për të marrë nën kontroll Krimenë, pjesën më simbolike ruse të Ukrainës, duke infiltruar ushtarët e tij në gadishull.

Pas një referendumi formal, ai e ktheu atë efektivisht në pjesë të shtetit rus. E gjitha ishte kundër ligjit ndërkombëtar, por Perëndimi ende mbeti pas nocionit se mund të bënte biznes me Rusinë e Putinit. Kishte fjalime dhe sanksione, por asgjë që e bëri Presidentin Putin, ose bashkëpunëtorët e tij të ndryshonin mendje, filozofi, apo qëndrim ndaj Ukrainës.

E njëjta gjë ndodhi kur armiqtë e Putinit, ose njerëzit e vjetër KGB dhe pasardhësit të saj STB, të konsideruar si tradhtarë, u helmuan, u pushkatuan ose u asgjësuan në Britani dhe Europë. Perëndimi lëshoi paralajmërime dhe vendosi sanksione të reja, por Rusia e Putinit ishte e përgatitur të jetonte me to.

Në 10 vitet e fundit, Rusia filloi të formojë një bllok të ri me Kinën, jo domosdoshmërishte armiqësore ndaj Perëndimit, por duke ofruar mbështetje për njëra-tjetrën përballë kritikave perëndimore.

Presidenti Xi Jinping dhe Presidenti Putin krijuan një grup mbështetës të ndërsjellë. Tani Kina po refuzon të dënojë Rusinë për veprimet e saj në Ukrainë dhe njerëzit në Tajvan, territori i shkëputur të cilin Xi Jinping gjithmonë ka refuzuar të thotë se nuk do ta pushtojë, kanë filluar të pyesin nëse mund të jetë radha e tyre.

Akti i Putinit tregon se bota është sot një vend shumë më i pasigurtë sesa ishte disa vite më parë. Për krahasim, vitet e vjetra të Luftës së Ftohtë ishin shumë më të thjeshta dhe në pjesën më të madhe rregullat ishin shumë më të qarta, nëse njëra palë ndërhynte në hapësirën e tjetrës, ekzistonte kërcënimi gjithnjë i pranishëm i shkatërrimit të gjithanshëm të siguruar reciprokisht. Pra, nuk ndodhi kurrë, edhe pse lufta u mbyll në mënyrë të pakëndshme më shumë se një herë.

Por, pas rënies së komunizmit, libri i vjetër i rregullave u gris. Tani kufijtë janë kaq të paqartë, askush nuk e di se ku shkojnë vijat e kuqe.

Kur kthejnë kokën pas, disa politikanë dhe akademikë po thonë se NATO ndoshta duhet të kishte ndryshuar të gjithë qasjen e saj pas rënies së Murit të Berlinit. Ajo duhet të kishte shmangur poshtërimin e Moskës duke marrë satelitët e saj të vjetër në Europën Lindore dhe duke i rreshtuar në një mënyrë që Rusisë së Putinit i dukej si konfrontuese.

Thjesht sugjerimi se Ukraina mund të bashkohet një ditë me NATO-n (edhe pse gjithmonë është konsideruar si e pamundur) tërboi Kremlinin dhe ndihmoi të bindte Presidentin Putin se ai duhet të merret me Ukrainën një herë e mirë.

Të gjithë e dinë se kjo është politika e tij dhe vetëm e tij. Politikanë të ndryshëm rusë dhe madje disa figura kryesore ushtarake dolën paraprakisht kundër çdo pushtimi. Por, Putini nuk do të shmangej. Tani duhet të ketë sukses dhe Rusia duhet të dalë si fituese e qartë, nëse hedhja e tij e zareve do të fitojë ndeshjen. Por, aventurat ushtarake si kjo ka shumë mundësi që të shkojë për keq.

Putin pati sukses në Krime, tetë vjet më parë dhe pozicioni i tij në vend u përforcua shumë. Ndoshta ai do të ketë sukses përsëri, duke kaluar nëpër forcat e armatosura të Ukrainës, duke bërë disa fitime të rëndësishme, pastaj të tërhiqet shpejt dhe të mbajë një paradë fitoreje.

Është krejtësisht e mundur. Por, supozoni se nuk ndodh në këtë mënyrë. Nëse ushtarët rusë fillojnë të vdesin në një numër të konsiderueshëm dhe sanksionet kundër Rusisë fillojnë të kenë efekt, atëherë pozita e vetë Putinit do të lëkundet.

Çfarë do të bëjë ai atëherë? Ka vetëm një përgjigje, ai do të shtypë çdo kritikë të brendshme edhe më fort se sa ka bërë deri më tani në emër të sigurisë kombëtare. Rusia është, edhe tani, një shoqëri çuditërisht e hapur në krahasim me të kaluarën.

Kjo, me siguri, do të merrte fund. Ekonomia ruse do të vuante dhe ndihma kineze nuk do të ishte në gjendje që të kompensonte humbjen.

Pra, Vladimir Putin, i cili duket se ka nisur sulmin e tij ndaj Ukrainës për shkak të pakënaqësisë së tij 30-vjeçare për rënien e perandorisë së vjetër sovjetike, mund ta kthejë Rusinë përsëri në kohën e BRSS dhe Perëndimi, i cili është përpjekur për kaq shumë kohë të mendojë se Rusia është vetëm një vend tjetër me të cilin mund të bëjë biznes, mund të rizbulojë ditët e vjetra e të ftohta...të luftës së ftohtë.

Marrë nga BBC. Përktheu Voxnews.al


Video