
Pjesëmarrja masive në protestën kundër abuzimit me çmimet këtë të shtunë dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit në gjashtë bashki na tregon se opozitë kemi, por asaj i mungon udhëheqësi.
Këtë e përforcoi edhe fakti që në disa momente, në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë këtë të shtunë herë pas herë kapeshin e dëgjoheshin zëra nga dy mikrofonë të ndryshëm, ndërsa në të gjitha protestat e këtij lloji pjesëmarrësit përsërisin gjithmonë se “nuk është protestë politike”, a thua është turp të protestosh politikisht.
Vetëm në Shqipëri është turp të marrësh pjesë në një protestë politike, pavarësisht se në thelb çdo protestë ka qenë, është dhe mbetet politike. Ky është suksesi i Lulzim Bashës në krye të opozitës, që i bëri shqiptarët sot të kenë turp të protestojnë për të drejtat e tyre.
Megjithatë, nëse do t’u referohemi deklaratave të Lulzim Bashës pas 6 marsit, kur sërish deklaroi fitoren duke pretenduar se në jetën e tij nuk ka humbur asnjë garë, në shesh kundër rritjes abuzive të çmimeve ishte 70 përqindëshi i qytetarëve që bojkotuan zgjedhjet e fundit, pra mbështetësit e Bashës, që vetë megjithëse kishte në dorën vulën dhe logon e partisë më të madhe opozitare doli forcë e tretë.
Por, protesta tregon se çfarë dëmi të pariparueshëm i ka bërë gjithë shoqërisë shqiptare Lulzim Basha në krye të opozitës, që nga 2013-ta, me vendime absurde që i kanë lënë dorë të lirë Edi Ramës që të jetë vetë zot e vetë shkop i këtij vendi.
Sot shqiptarët po vuajnë kusuret e bojkotit të tryezave për reformat, bojkotin e zgjedhjeve të 2019-s dhe kusurin e të pasurit në krye të opozitës të një personazhi të akuzuar si pa shtyllë kurrizore, jo me pa të drejtë.
Pavarësisht se dëmi që Lulzim Basha i ka bërë vendit duket i pariparueshëm, ai e gjen ende guximin që përmes manovrave politike brenda PD-së të kërkojë të zvarrisë dorëheqjen, me shpresën e shmangies totale të saj.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.