Në Aushvic

21 Janar 2023, 19:31Pikëpamje SHKRUAR NGA MONIKA STAFA

Njerëzit që ndjekin emocionet e tyre më së shumti nuk janë vigjilentë të mirë.

Zemrën apo mendjen? Cilën cshtë më mirë të dëgjojmë? Në varësi të asaj që zgjedhim, vuajmë gjithsesi në jetë. Pak ose shumë. Por e vërteta është se secili nga ne ka vuajtjet e tij.

Shenjat e para që vërehen kur sekush nga ne ndjek mendjen ndihen atëherë kur fillojmë të gënjejmë ata që na rrethojnë, madje edhe kur dhe ne vetë i besojmë gënjeshtrave tona.

Në jetë duhen disa lëndime për të thyer një zemër. Duhen shumë të tilla për të mos ndjerë më me zemër. Sepse kur ajo thyhet, nuk mund të besosh më. Ndaj që këtej njeriu përdori mendjen. Në katërcipërinë e saj, prej epokave të hershme në luftë për mbijetesë, ai e zhvilloi fort mirë atë. Ndër të tjera ai mësoi se mendja/ arsyeja zgjoi dyshimin pas të cilit vjen urrejtja, përbuzja apo inati.

Por mund të ndodhë që befas, atëherë kur mendojmë se gjithçka e kemi nën kontroll, e jeta drejtohet nga arsyeja, dikush vjen gjithmonë aty, për të të zgjuar zemrën e “varrosur”.

Zgjedhja edhe këtu mund të bëhet.

Sepse mund të ikje larg, nëse do të udhëhiqeshe nga arsyeja,... por në jetë ka ca ndodhi që nuk mund t’u ikësh përgjithmonë. Sepse i gjalli ka nevojë për të gjitha.

Edhe për zemrën nëse ndjek rrugën e saj.

Edhe pse e dimë se ajo rrugë përfundon duke na lënduar. Kështu bëri dhe Fridrik, oficeri i lartë nazist në historinë e tij duke shpëtuar një bebe të bukur hebreje me emrin Haja nga barrakat e vdekjes në Aushvic.
….
Pas Luftës së Parë Botërore, Gjermania ishte e zhytur në varfëri dhe papunësi të madhe. Që këtej Hitleri nuk e pati të vështirë të forcohej. Ai i bindi gjermanët se hebrenjtë ishin fajtorë për dështimet e tyre ekonomike, duke besuar se edhe kreditë apo borxhet që u kishin hebrenjve të mos i shlyenin më. Për ta kjo ishte një padrejtësi.

Nisi lufta. Ajo dyta tashmë me përmasa botërore.

Hebrenjtë e quajtën Sho·ah; shfarosja masive e hebrenjve evropianë nga nazistët gjatë L.II.B. Por nuk ishte vetëm kundër tyre. Një numër i madh grupesh me ngjyrë, homoseksualësh apo dhe të tjerë u vranë nga nazistët, por ishte populli hebre ai që u vu në shënjestër më intensivisht dhe qëllimisht.

Popullsia hebreje e Evropës në vitet 1930 numëronte 9 milionë. Polonia ishte në atë kohë vendi i komunitetit më të madh hebre në botë. Kështu ishte me shekuj. Në kohën kur mbaroi L.II.B., në vitin 1945, 6 milionë hebrenj evropianë ishin vrarë. Shumë prej tyre ishin kthyer në hi në kampet e vdekjes, ndërtuar nga regjimi i Hitlerit. Nazistët besuan në asgjesimin fizik të hebrenjve që u mbështet tek doktrina Final Solution për ta zgjidhur kështu njëherë e mirë problemin hebre. Hitleri e kish marrë përsipër si i cmendur këtë projekt, të cilin e kish më shumë qejf ta conte deri në fund.

Arsyet janë të ndryshme. Por asnjëherë të mirëshqiptuara. Cfarë gjithmonë më bën të jem skeptike me atë që ndodh sot me botën.

Kampet e punës që u ndërtuan ishin thjesht një eufemizëm për kampet e shfarosjes. Sektori i transporteve për në Lindje i referohej trenave të vdekjes. Sa shumë kisha parë e lexuar!

Por mendja dhe zemra më përziheshin bashkë gjithmonë për t’u ndalur vecmas në këtë histori.

Aushvic.

Emri i tij mjafton. Kisha lexuar diku një shprehje. Të paharrueshme; Ekzistenca e Aushvicit vërteton se Zoti nuk ekziston. Ka vetëm dy mënyra se si mund të kesh qenë në Aushvic, ose si i burgosur ose si xhelat.

Dhe megjithëse këto dy grupe ishin aty për të zhdukur njëra -tjetrën, mes pikës së fundit të jetës dhe fillimit të vdekjes, edhe në atë zgrip të errët, jeta kish gjetur një pllakë vend të bulëzonte.

Një bebe lind në barrakat e kampit famëkeq në tetor 1944. Është Haja për të cilën shkrova më sipër. Një sonatë kushtuar asaj kompozohet nga një oficer dhe shpëtimi prej barrakave të Aushvic që i vjen prej tij, është vetëm një histori brenda doktrinës së të keqes së madhe. Ka me dhjetra të tilla në këto kampe. Njerëz që u zhdukën më pas me kujtimet e tyre dhe rrëfime që celen pas afro gjysëm shekulli. Ende nuk mbarojnë.

Por si t’ia shpjegojmë sot të rinjve se në kohë të tilla rreziku dashuria vjen njësh me mbijetesën? Që miqtë dhe vëllezërit kthehen në armiq kur nuk ka vend për të gjithë? Që gratë spiunojnë burrat dhe anasjelltas? Që prindërit tradhtojnë fëmijët?

Si mundet që edhe pse bombardimet shpesh prekin popullsinë civile… besnikëria ndaj atdheut është e para? Përtej kësaj si ndahet këtu e mira dhe e keqja? Si mund të rrinë ato bashkë? C’ndjesi ishte ajo që i vuri gjermanët e mirë përposhtë këmbëve të një të cmenduri?

Lufta e Dytë Botërore ishte një kapitull i turpshëm jo vetëm për Gjermaninë por për të gjithë Europën që heshti dhe u kujtua të vepronte kur ishte tepër vonë. Dhe ende sot politikanët evropianë nuk kanë mësuar asgjë nga shkatërrimet e mëparshme të kontinentit. Rënia e komunizmit ndezi grindje të reja në vendet e Lindjes duke e prekur rëndë sidomos Ballkanin. Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme kanë përjetuar këto 80 -të vitet e fundit me dhjetra luftra civile. Shumë vende ende vazhdojnë të jenë në luftë. Ukraina p.sh., që është dhe më afër nesh.

Civilët vazhdojnë të bombardohen. Të moshuar, gra e burra, fëmijë e studentë. Shifra të sakta të vrarësh fshihen me qëllim si atëherë ndërsa të zhdukurit nëpër lista shtohen përditë.  

Sot më të shumtën e rasteve në familje nuk flitet për të shkuarën, nuk flitet për Gjermaninë e aq më pak për Holokaustin. Më pak ndoshta cfarë roli pati Shqipëria dhe shqiptarët me qëndrimin e tyre të vendosur për t’i fshehur hebrenjtë e rrezikuar prej shfarosjes së madhe.

Ndoshta aspak edhe për komunizmin.

Secili fsheh një sekret të vetin brenda historisë. Një sekret që do të donin ta ruanim për gjithë jetën.

Ka momente kur realiteti duket sikur ekziston në një dimension paralel. E shikojmë nga jashtë të gjithin tek ekziston aty përkrah nesh por pa e prekur dot. Nuk arrijmë dot ta prekim, apo të luajmë me të.

Thjesht themi se jeta duhet të vazhdojë.

Por që të vazhdojë kë duhet të ndjekim zemrën apo mendjen, në vijim?  

Video