
Gjatë fundjavës pashë miniserialin e Netflix ‘Adolesence’. Është një premierë që filloi të shfaqej në mes të marsit dhe ndërkohë ka ngjallur interes të madh. Në dy javë e pak ka arritur të kryesojë listat e shikueshmërisë së Netflix në 71 vende të botës. Njëkohësisht ka tërhequr vëmendjen e kritikëve, por edhe po ngjall diskutime të gjera publike. Opinione për të po publikohen në shumë media prestigjioze si ‘The Economist’, ‘The Guardian’, BBC, CNN, New Yorker etj. Në Britani vet kryeministri Starmer, e lavdëroi gjatë një fjale në parlament dhe tha se po e shikonin sëbashku në familje.
Subjekti i ‘Adolescence’ preston për një triller me intrigë tronditëse e me të fshehta që ngjallin kureshtje e padurim për t’u zbuluar. Por autorët nuk kanë preferuar këtë qasje, megjithëse marrin shkas nga një vrasje, madje një vrasje pothuajse e paimagjinueshme: një 13-vjeçar, që në dhomën e gjumit mban akoma një arush pellushi, vret me thikë një shoqe klase. Dhe këtë veprim horror, prej të cilit spektatori sheh vetëm një sekuencë të vagëllt marrë nga kamera e një biznesi, e bën ngaqë shoqja e klasës, në rrjet e faqe të gjithëve e ka cilësuar si tip mashkulli që nuk i tërheq femrat.
Vërtet katër miniseritë e xhiruara me kamerë pa ndërprerje nuk i ngjajnë një trilleri klasik me intriga e kthesa të papritura subjekti, por të grishin t’i përjetosh si një dramë a shfaqje skenike që synon zbulimin karaktereve. Emblematik për këtë është seria e tretë që fund e krye përqendrohet në një bisedë mes Jamie, fëmijës që kreu krimin, dhe psikologes dhe përkundër këtij përqendrimi në të njëjtin ambient e mban në tension vëmendjen e spektatorit sepse me një qasje njerëzore zbulon psikologjinë e Jamie si një fëmijë i këndshëm e miqësor, por njëkohësisht edhe agresiv e i papërmbajtur. Tek e sheh priresh të mendosh se agresiviteti i adoleshentit, e mbase edhe i mashkullit në përgjithësi, nuk buron nga forca, por nga dobësi dhe pasiguri të brendshme.
I shtjelluar si një rrëfim i natyrshëm narracioni i filmit e nxit spektatorin të thellohet në një dukuri që po bëhet përditë e më shqetësuese: rrjetet sociale po ndikojnë fuqishëm në formimin e fëmijëve dhe të adoleshentëve dhe më e keqja është se shpesh prindërit dhe shoqëria as nuk e kuptojnë ç’po ndodh. Prindërit e adoleshentit që lanis me thikë shoqen e klasës, deri ditën e krimit pandehin se po rrisin një fëmijë normal e të dhembshur. Kurse polici investigativ nuk e ka vënë re bullizmin e ashpër që vuan i biri në shkollë dhe, megjithëse shumë i aftë në gjurmim krimesh, arrin të orientohet në kodet e komunikimit online të adoleshentëve, vetëm kur e ndihmon i biri.
Miniseritë e këtij filmi, nuk synojnë aq të japin përgjigje për dukurinë e pasqyruar, sa të ngrenë pyetje për ndikimin që rrjetet sociale kanë në jetën e fëmijëve nëpërmjet popullarizimit të qëndrimeve toksike që i portretizojnë gratë dhe vajzat si objekte, si armiq dhe si pre e dhunës mashkullore.
Parë kështu autorët ia kanë dalë të venë në jetë këshillën e Proust-it kur thoshte se, në një vepër të vërtetë arti lexuesi nis të gjenerojë pyetje atje ku autori bën konkluzione. Është mbase kjo njëra nga arsyet pse filmi ka ngjallur aq shumë interes dhe diskutime që nuk lidhen aq me arritjet artistike si konceptimi regjisorial, loja e aktorëve, teknikat e narracionit etj. po me një dukuri të mprehtë sociale: adoleshenti i sotëm, edhe i mbyllur në dhomën e gjumit, është i kërcënuar sikur të përshkonte i vetëm një pyll tropikal.
Duke ndjekur një pjesë të diskutimeve për aspektin social të miniserialit ‘Adolescence’ mendja të shkon tek cektësia, monotonia dhe varfëria që mbisundon diskutimet tona publike e mediatike sa herë përballemi me krime të tilla. Mbështetur në këto diskutime vështirë të thuash sa të prekur janë adoleshentët e sotëm shqiptarë nga konceptet alla Andrew Tate që mbushin manosphere-n dhe promovojnë ethshëm maçoizëm, misogjini, kundërvënie dhe armiqësi mbi baza gjinore. Akoma më vështirë e ke të thuash sa ndikon tek adoleshentët rrjeti e sa ndikon realiteti ynë i sotëm i intoksikuar goxha nga maçoizmi e misogjinia e të rriturve, por edhe nga gjuha e urrejtjes dhe konfliktualiteti ekstrem që përcjell politika.
Thuhet se para disa muajsh pati një diskutim të gjerë për tiktokun, po vështirë të perceptosh ç’gjurmë la ky diskutim në mendësinë tonë, madje vështirë ta gjesh edhe të dokumentuar në media në trajtë debatesh, sondazhesh, analizash.
Shumica e diskutimeve mediatike për tiktokun u zhvilluan në emisione të dorës së dytë, me shikueshmëri të ulët e profesionalizëm edhe më të ulët. Për të mos thënë se edhe kësaj here politika shërbeu për asfiksimin e debatit, duke e thjeshtuar atë në luftë politike mes dy partive kryesore, njëra pro mbylljes dhe tjetra kundër.
Nuk është hera e parë që përzierja e ‘dinosuarëve’ të politikës në çështje me interes shoqëror të mprehtë, sjell si pasojë zbehjen e aspektit social dhe mbitheksimin e aspektit politik, të konceptuar thjeshtueshëm si luftë për pushtet.
Përzierja vend e pavend e politikës në kauza sociale, që prestojnë pjesëmarrje aktive të shoqërisë civile, shumicën e herëve nxitet nga fakti që partive politike u mungojnë kauzat e mprehta, që ngjallin interes dhe gjallërojnë aksionin shoqëror. Ashtu pa kauza i sulen çdo shqetësimi e diskutimi të mprehtë social për ta përvetësuar e për t’ia kthyer rrjedhën në mullirin e tyre politik i cili thuajse gjatë gjithë kohës bluan trashë mesazhin që kutërbon nga myku i propagandës: na votoni ne dhe gjithçka zgjidhet.