Keqpërdorimi i Kosovës në parlamentin e Tiranës

21 July 2022, 14:00Pikëpamje SHKRUAR NGA ENVER ROBELLI
Keqpërdorimi i Kosovës në parlamentin e Tiranës
Kuvendi i Shqiperise

Nga Enver Robelli

Serish Kosova po keqpërdoret nga politikanët e Tiranës për betejat e tyre të brendshme dhe të pista politike. Bëhen sikur po i ndihmojnë Kosoves, në të vërtetë ia fusin thikën pas shpinës. Me fjalime absurde dhe me poza të rrejshme patriotike.

Ta marrim si shembull kryeministrin aktual Edi Rama. Më 2015 e ka përkrahur themelimin e Gjykatës Speciale, madje erdhi në Prishtinë për t'i mbështetur Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën për të krijuar gjykatën. Atëherë që të tre mallkonin kritikët e gjykatës dhe i konsideronin armiq të Perëndimit.

Me 2018 Edi Rama tha në Forumin Ekonomik Botëror ne Davos se Gjykata Speciale është e pashmangshme dhe nuk ekziston rreziku i shpërberjes se saj. Nuk erdhi në Prishtinë për ta përkrahur Thaçin i cili synonte zhbërjen e gjykatës.

Rrjedhimisht, fjalimi i sotëm i Edi Ramës në Kuvendin e Shqipërisë ku përpiqet të mbajë leksione kinse patriotike, është aq qesharak, aq i dobët, aq jokredibil. Një karikaturë fjalimi! Si t'i besohet një politikani që 7 vjet e përkrah një gjykate, pastaj thotë të kundërtën?

Akuza e Ramës se PD ia ka futur thikën pas shpinës Kosovës, është paushalle. Po, PD ka bërë disa marrëzi ndaj Kosovës. Ndërsa Kosova në vitin 1998 ishte përfshirë nga flakët e luftës, në Tiranë PD përpiqej të bënte puç.

Por e vërteta tjetër është se kanë qenë socialistët në pushtet, kur në Tiranë është vrarë Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Kosovës. Kurrë kjo vrasje nuk u ndriçua, sepse nuk është në interesin e politikanëve që qeverisnin në atë kohë dhe që kanë ndikim edhe sot. A janë arrestuar vrasësit e Ilir Konushevcit?

Ka qenë Partia e Edi Ramës në pushtet kur një strukturë e UÇK-së u tolerua të hape burgje brenda Shqipërisë. Janë dënuar njerëz në Kosove për keqtrajtim civilësh në këto burgje. Nëse ka një parti në Shqipëri që me keqqeverisjen e saj e ka bërë të mundshëm raportin e Këshillit të Europës, atëherë ajo parti është Partia Socialiste. Edi Rama vetëm duhet ta shikoje arkivin e partisë së tij.

Nuk them që PD do kishte qeverisur ndryshe nga PS po të ishte në pushtet në fund të viteve 90-të, por përpjekja e Ramës që për betejat e brendshme politike ta etiketojë PD-se si parti antikosovare është pak më shumë se dashakeqësi dhe fyerje e logjikës minimale të opinionit.

Për këso "ndihmash" nuk ka nevojë Kosova. 12 vjet pas publikimit të raportit të Këshillit të Europës, 8 vjet pas raportit vendimtar të prokurorit amerikan Clint Ëilliamson, 7 vjet pas themelimit të Gjykatës Speciale - të krekosesh se tani me një rezolutë mund të bësh hatanë, është hedhje e pluhurit në sytë e opinionit për të mbuluar heshtjen 12 vjeçare. Kosova nuk do të duhej të keqpërdorej si leckë për tharjen e moçalit të politikës së Tiranës.

P.S. Shkrimi është marr pa lejen e autorit nga profili i tij në Facebook.


Video