Greqia e ka lënë Kalin e Trojës të ushqehet te livadhi i SHQUP-it

13 Maj 2023, 13:53Pikëpamje SHKRUAR NGA ARDIT RADA
Fredi Beleri, Ilir Meta dhe Sali Berisha

Fredi Beleri thotë se nuk ka marrë pjesë në masakrën e Peshkëpisë në vitin 1994. Këtë ai e ka provuar para drejtësisë me faktin se ndodhej në Qipro për studime.

Por lidhjet e tij me grupin terrorist u provuan një vit më pas kur pas dështimit për të shkelur sërish tokën shqiptare, u kap me disa të tjerë nga Policia e vendit fqinj.

Zbythja e grupit në 1995 erdhi pasi këtë herë posta kufitare shqiptare kishte marrë masa dhe qe armatosur gjer në dhëmbë. Pasi e vërejtën me dylbi, vendosën të vinin majat nga kishin thembrat. Fredi Beleri u dënua për armbëmbajtje pa leje pasi bashkë me të tjerët iu gjet një arsenal i tërë armësh.

Ai vetë e ka pranuar publikisht rastin duke u shprehur se pjesëmarrja në atë grup ishte një aventurë e rinisë. Sikur ushtarët tanë të ishin sërish në gjumë dhe pa fishekë, kuptohet si do të shkonte ‘aventura’…

Një dokument i SHISH në vitin 2007 e informonte Sali Berishën për aktivitetin e Belerit dhe të tjerëve në Himarë. Për gjuhën e urrejtjes, parrullat antishqiptare e të tjera si këto. Shkresa mban firmën e ish-drejtorit Bahri Shaqiri. Berisha ishte kryeministër atëkohë, por nuk dihet nëse e kishte kërkuar vetë këtë informacion, apo iu servir nga SHISH për ndonjë situatë të kohës. Kush ka qenë në Himarë e ka parë se në kodër ndodhet godina e SHISH.

Kush merr vesh nga këto punë e di me patjetër se Himara është i vetmi qytet që ka drejtori të dedikuar të Shërbimit. Pra nuk varet nga Vlora, siç varet fjala bie Lushnja nga Fieri apo Kruja nga Durrësi. Kjo për shkak të ‘belerëve’ që bredhin në atë qytet prej dhjetëra vitesh herë me armë, herë me para e herë me këto takimet pas mesnate duke thurur konspiracionet e mëdha. Dikur shisnin nënshtetësi greke, sot blejnë vota për t’i njollosur himariotët e për të zbatuar së paku aventura me masakra zgjedhore.

Video