Gazetari: Pazari i kullës me Berishën dhe një grup mediatik (TV KLAN), historia më e rëndë e shitjes së opozitës në 30 vitet e fundit

10 Gusht 2023, 21:36Pikëpamje SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nga Habjon Hasani

Një falenderim (i munguar) për Altin Goxhaj

Në disa raste të përsëritura, Goxhaj më ka zhgënjyer pozitivisht.

Kulmi duhet të ketë qenë fushata e "Ne Tirana" e ish-kandidatit Bojaxhiu të cilën asokohe e mbështeta me shpirt.
Goxhaj më kundërshtoi, me tha se jane projekt, lëvizje taktike për të neutralizuar vota që do i shkonin Halim Kosoves, ndërsa Bojaxhiu ishte peng i një hetimi në tatime sipas tij, i nisur që në kohën e Berishës.

Kur më kundershtonte e paragjykova dhe mendova se ishte tepër i lidhur me Halim Kosovën për të pranuar alternativa të reja.

Por koha i dha te drejtë atij, sepse jo vetëm Bojaxhi rezultoi një figurinë e kapur dhe nën shantazh por dhe figurat kryesore të ingranuar në kupolë pranë tij rezultuan me kohën njerëz të dobët; ndoshta jo të shantazhueshëm me biznese por shërbetorë dyleksh, i jepen prurësit më të parë.

Koha më pas provoi si të vërtetë dhe paralajmerimin e Altin Goxhajt për Lulzim Bashën si lider i PD-së në lojë me Soros (thotë ai) por unë do thoshja në lojë me linjat e shërbimeve të dukshme e të padukshme amerikane që përcaktojnë vijat e kuqe në këtë vend.

Në Dhjetor 2022 Goxhaj nisi të fliste për një kulle, që sipas tij ishte mjeti i këmbimit që Berisha merrte me kusht që të sabotonte fushatën e Tiranës dhe premisat e opozitës.

Teza e Goxhajt është se fillimisht Berisha synoi të luante fortë në Tiranë, pa kompromise me Ramën; por shpallja e tij non-grata nga Britania ishte sinjali se po kalonte vijën e kuqe, nuk kishte të drejtë të konkuronte e të fitonte, gjithë sa i lejohej ishte të mbijetonte e të kapte nai pazar.

Duke qenë se ai Alimehmeti u rreshtua vet me Belindin pasi humbi përballë tij në primare; m'u duk e tepërt që të mbështesja tezën e Goxhajt kur i zoti hallit ishte ulur në prehërin që Goxhaj akuzonte, në prehërin e Berishës.

Mirëpo ja që koha e solli që dhe teza e Goxhajt për kullën të vihej në provë dhe befas Berishajt u kompleksuan, mediat e tyre nuk pipëtinë, sekseri i dyshuar i ujdisë Frangaj së bashku me bateritë e tij mediatike (sidomos garnizonet e kamzhikut) u mekën, u bënë VUV.

Mero Baze nga ana tjetër kishte denoncuar me informacion të brendshëm te "Të PaEkspozuarit" ujdinë e kullës disa javë më parë.

Dje doli marrëveshja e qirasë ndermjet Berishajve dhe ndërtuesit Shtufi.

Janë disa indicio që të orientojnë drejt një ujdie ku Berishajt kanë shitur opozitën për të mbajtur monopolin personal.

Ky është një nivel krejt i ri poshtërimi për opozitën, sepse tejkalon dhe tolerancat e Bashës; madje tejkalon dhe nivelin e Gjergj Bojaxhiut dhe bythëpambukëve të tij të 2015-ës.

Kjo është ndoshta historia më e fortë e telendisjes dhe korruptimit politik që ka ndodhur që pas vitit 1991 në vendin tonë.

Kjo nuk mund të jetë një histori që hetoet si "pazar kulle" por është kompromat i një niveli ekzemplar korrupsioni që përfshin të gjitha palët politike me ndërmjetës grupin më të fortë mediatik në vend që prej vitit 1998.

Nuk e di a ka SPAK-u këllqe ta hetojë këtë histori në rrënjët dhe themelin e saj, por di që Altin Goxhaj kishte këllqe ta denonconte i pari, për këtë meriton një falenderim publik.

 

Video