Intervista e parë publike Mirel Mërtirit mbrëmjen e djeshme në emisionin e gazetarit Çim Peka nga shumë pritej të lëshonte dallgë në opinionin publik, por një ditë më pas, të shumtë janë ata që mendojnë se në fakt ishte një “fiasko”.
Mbi mënyrën se si u realizua kjo intervistë, pse dështoi të prodhonte lajme sensitive dhe çfarë bëri gabim moderatori Çim Peka, ka komentuar gazetari Habjon Hasani.
Hasani është i mendimit se gazetari Peka mori pozicion “politiko-klanor” por edhe paragjykues ndaj të ftuarit, duke realizuar një intervistë në shkelje edhe të etikës.
Komenti i plotë i gazetarit Habjon Hasani:
Disa piketa mbi emisionin e mbrëmshem të Mirel Mërtirit.
Mqs dhe zoti Peka sot paska thënë se ajo ishte e vetmja mënyrë për të mbyllur emisionin, e sipas tij ata që shqetësohen për etikën duhet në radhë të parë të shqetësohen për lekët e grabitura, po rendis motivet pse mendoj që ajo që ka bërë Peka nuk ishte vetëm shkelje e etikës, por pozicionim politik dhe klanor, përveçse dhe paaftësi arbitrare në menaxhimin e një shansi të arte për scoop.
a) Në momentin kur subjekti është në lidhje Skype, duhet të përcaktosh protokoll dhe radhë pune që të garantosh në mënyrë absolute të drejtën e tij që të ndihet i barabartë me pjesëtarët në studio.
Ky protokoll është përgjegjësi direkte e moderatorit, i cili duhet të udhëzojë dhe të ftuarit në studio të ndjekin vetëm sinjalin e tij për të ndërhyrë.
b) Mirel Mërtiri përsëriti 7 herë se ishte drejtor projektesh, por moderatori i tha se nuk je as pronar dhe as drejtor a mund ta dimë se çfarë je. Tregues ky se moderatori nuk dëgjon dhe nuk ka asnjë interes të eksplorojë subjektin por është totalisht në pozita paragjykuese ndaj tij. Gafë që godet direkt reputacionin e moderatorit që nuk di ku është dhe pse është.
c) Moderatori nuk e njihte çështjen dhe nuk kishte krehur dokumentet që ja kishin vënë në dispozicion, duke ngatërruar në mënyrë të përsëritur indicion me faktin e provuar.
d) Moderatori mbajti totalisht anën e akuzatoreve të Mertirit, kjo është e palejueshme. Ti mund të thuash se akuzohesh për X gjë nga Y person, por jo të thuash më shpjego si i ke vjedhur këto që të akuzon X-i. Je palë nëse e bën këtë, në momentin që je palë dhe shfaqesh si palë i lë fushën e lirë tjetrit për të të gozhduar.
e) Moderatori i tha subjektit se nuk mund ta përdorte studion e tij për interesat e veta, apo për të bërë lojën e tij. Ky është një karllik stratosferik, sepse është njesoj si t'i thuash një shahisti që ti s'mund të përdorësh kutinë time të shahut për të më mundur mua. Sigurisht që ai për të të mundur ty është aty, është detyra jote ta pengosh dhe të fitosh, por të fitosh me rregulla loje, jo duke përmbysur kutinë e shahut.
f) Në momentin që Mertiri tha se nuk do permendte emra ai duhej pyetur menjëherë nëse e kishte keqkuptuar intervistën. Pasi ishte ftuar si biznesmen që kishte fituar kontrata publike të firmosura nga zyrtarë publike, nuk ishte ftuar si filozof që do diskutonte ide dhe parime sublime teorike.
g) Nuk u bë asnjë përpjekje për t'i bërë pyetje "shah-she-torre" subjektit, të tipit:
-Nëse do e ktheje kohën pas çfarë do bëje ndryshe?
-A je bërë pishman që vendose emrin e bashkëshortes si pronare e subjektit Albtek?
-Çfarë mendove kur mësove se Arben Ahmetajt i ishte sekuestruar telefoni Blackberry? I mbaje mend ato biseda? Çne i thoshje fratelo? Si ndihej ai kur i flisje me përkëdheli ti?
Në dukje janë pyetje naive por janë pyetje që e vendosin subjektin në pozita reflektimi dhe besimi reciprok dhe janë pyetje që mund të nxjerrin perla.
h) E fundit, pretendimi i moderatorit të Syri.net se ata që vënë theksin te etika anashkalojnë vjedhjen është i pavërtetë, sepse etikën dhe profesionalizmin secili ja ka borxh vetes pastaj buxhetit të shtetit.
Plus shtuar kësaj, vjen dhe një pyetje natyrshëm:
A është kaq i revoltuar moderatori Peka dhe për kontratat e marra nga biznesmenë të tjerë si Shefqet Kastrati, Samir Mane, Artan Dulaku etj?
A ka ai të njëjtën ndjeshmëri si me rastin e Mërtirit?
Përgjigja e kësaj pyetjeje elementare është dhe vërtetimi aritmetik i faktit se moderatori jo vetëm ishte palë politike, klanore dhe i njëanshëm, por mbi të gjitha e gënjen mendja se pamundësia për të zbërthyer këtë "zog të artë" që i ra në dorë, i vjen nga të tjerët.
Jo shoku, aty e kishe zogun, duhej ta flirtoje dhe ta bëje të cicëronte për ty, është detyra jote kjo, buxhetin e ka për detyrë ta mbrojë ministri i Financave, jo ti.