Flamingot, kartolina e re e Shqipërisë

30 Korrik 2026, 18:20Pikëpamje SHKRUAR NGA LUTFI DERVISHI
Foto ilustruese

Pavarësisht akuzave për “agjentura” apo pretendimeve se po dëmtohet sezoni turistik, një bilanc i 60 ditëve protestë tregon një realitet tjetër: sezoni turistik vijon normalisht, ndërsa ajo që po ndryshon është diçka më e thellë: mënyra se si Shqipëria po perceptohet brenda dhe jashtë vendit.

Protestuesit po bëjnë për imazhin e vendit atë që asnjë fushatë me miliona euro nuk e arrin dot. Ata po tregojnë një Shqipëri dinjitoze dhe qytetare.

Asnjë fushatë marketingu nuk do ta kishte arritur atë që arriti protesta: flamingoja u kthye në simbolin e ri të Shqipërisë moderne, duke konkurruar denjësisht madje edhe me shqiponjën. Pak vende në Evropë kanë koloni flamingosh dhe asnjë vend në kontinent nuk ka një lumë të egër si Vjosa apo ligatinë si ajo e Nartës. (Beton gjen kudo). Turizmi shqiptar ka fituar një reklamë që vlen më shumë se çdo spot televiziv. Frytet e këtij marketingu falas nuk do të vonojnë.

Bashkë me simbolin, ndryshoi edhe lajmi për Shqipërinë. Për javë me radhë, mediat e mëdha ndërkombëtare, The Guardian, BBC, NYT, Al Jazeera, nuk folën për drogë, emigracion apo kriminalitet, por për mijëra qytetarë që mbrojnë natyrën. Për herë të parë në dekada, vendi tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare për një kauzë thellësisht pozitive, evropiane dhe qytetare.

Me protestën 60 ditore ndryshoi edhe portreti i brezit të ri. Protesta nxori në pah një brez që marshon masivisht dhe pa dhunë, pa liderë politikë dhe me kreativitet ekstrem. Përmes pankartave me humor, artit në rrugë dhe këmbënguljes, ky brez shkatërroi stereotipet e vjetra për shqiptarët dhe rajonin, duke treguar një shoqëri të re, të emancipuar dhe plot energji.

Më e rëndësishmja, lëvizja tregoi se në Shqipëri po konsolidohet një vetëdije qytetare e ndërgjegjshme për të drejtat e saj, e cila nuk pret më nga partitë politike apo media për të artikuluar shqetësimet e saj, një shoqëri që vetorganizohet, mbron interesin publik dhe kërkon llogaridhënie. Ky është sinjal domethënës edhe për partnerët ndërkombëtarë e investitorët seriozë që kërkojnë stabilitet dhe sundim ligji, dhe mesazh që nuk kalon pa u vënë re në Bruksel.

Për më tepër sot po flitet për “modelin shqiptar si frymëzim. Flamingoja tregoi se edhe një vend i vogël mund të prodhojë një histori frymëzuese me përmasa globale, kur qytetarët vendosin të mbrojnë të mirën e përbashkët.

Për vite me radhë, Shqipëria ka tentuar ta ndërtojë imazhin e saj përmes spoteve reklamuese apo strategjive të shtrenjta PR-i. “Flamingot” dëshmuan se reputacioni i vërtetë nuk blihet. Ai fitohet, kur qytetarët ngrihen për të mbrojtur atë që e bën vendin e tyre të veçantë. Kjo është kartolina më e besueshme dhe më e vlefshme që Shqipëria mund t’i paraqesë sot botës.


Video